Rritja e tregut të aksioneve në SHBA në vitin 2023 erdhi për shkak të shtatë kompanive më të mëdha të teknologjisë: Apple, Microsoft, Google-Alphabet, Meta, Amazon, Nvidia dhe Tesla. Në themel të suksesit të tyre, është pasuria më e çmuar e kohës sonë: të dhënat që ne gjenerojmë kur kemi kontakt me një pajisje të lidhur online.
Ugo Mattei
Dihet që gazetat e printuara janë në krizë, sepse gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, i marrin informacionet e tyre në internet. Dihet gjithashtu se gjithçka që ndodh në internet, ashtu si një diamant, është e përjetshme, sepse gjurmët e të gjitha kontakteve tona mbeten përgjithmonë të disponueshme për ata që e dinë, dhe duan t’i përdorin.
Këto gjurmë të pashlyeshme përbëjnë arsyen kryesore, për suksesin e jashtëzakonshëm ekonomik të shtatë gjigandëve të tregut të teknologjisë – Apple, Microsoft, Google-Alphabet, Meta, Amazon, Nvidia dhe Tesla -, të cilat kanë akumuluar të gjithë rritjen e kapitalizimit të aksioneve amerikane në vitin 2023.
Ky përqendrim i pasurisë shpjegohet përmes metaforës së të dhënave tona, si ‘nafta e re’ e një industrie kontrolli që shpërblen ata që dinë më mirë të nxjerrin të dhëna të përpunueshme nga sjelljet tona, për të parashikuar të ardhmen.
Sot, katër vjet pas fillimit të pandemisë, duket e pamundur të imagjinohet se si mund të jetojmë pa programe video-konferencash si Zoom ose Meet, ose pa qenë në gjendje të kemi çdo mall, përfshirë ushqimin, të dorëzuar në derën e shtëpisë. Të njëjtin mosbesim shfaqnin vite më parë vajzat e mia adoleshente kur u tregova se dikur mund të takoheshim në shesh duke lënë takime fikse, pa kryer një sërë telefonatash.
Kjo vetëm katër vjet pas Covid-it dhe pak më shumë se një vit pas përhapjes së ChatGpt, sistemi i inteligjencës artificiale që po bëhet i pazëvendësueshëm. Natyrisht, këto mrekulli teknologjike fshehin një anë të errët, për të cilën është mirë të kemi kujdes, e cila varion nga energjia intensive dhe shfrytëzimi social deri te survejimi masiv, deri te marrja e të dhënave personale në mënyrat më të paimagjinueshme, për shembull kur hipim, zbresim, bisedojmë ose zgjedhim destinacionin në një makinë të gjeneratës së fundit.
Lënia e gjurmëve të pashlyeshme, nga kalimi i thjeshtë e deri tek ajo që themi në një bisedë pranë celularit, mund të krijojë një fenomen të çuditshëm autocensure. Mbledhjet e komisionit politik, ekonomiko-organizativ apo të konkurrencës, apo mësimet online nuk mund të jenë plotësisht falas. Dikur thuhej verba volant, scripta manent. Në internet, omnia manent, gjithçka mbetet: fjalët, shkrimet, veprimet.
Në kontekstin tonë të ndërmjetësuar tërësisht nga teknologjia dixhitale, dallimi i të vërtetës nga gënjeshtra bëhet shumë kompleks. Para disa javësh, për eksperiment, një doktorant më kërkoi t’i dërgoja një faqe të shkurtër në italisht, me katër-pesë mendime për një temë që më caktoi. Disa orë më vonë ai më dërgoi një video, në të cilën unë e recitoja atë tekst në gjermanisht, një gjuhë që nuk e di.
Videoja u ‘filmua’ në një zyrë të bukur imagjinare dhe unë lëviza gojën në në përputhje me gjuhën gjermane që flisja. Ishte e pamundur të kuptohej që ishte e rreme. Një ditë më pas, erdhi një njoftim nga dekani i fakultetit tim në San Francisko, ku na informonte ne profesorët se programi i inteligjencës artificiale të Lexis Nexis (baza e të dhënave më e rëndësishme e jurisprudencës dhe doktrinës në Shtetet e Bashkuara) kishte rënë në “vesin” e shpikjes së çështjeve.
Inteligjenca e Lexis, ashtu si një avokat i pandershëm, në vend që të mos i përgjigjej klientit, e shpikte përgjigjen në një mënyrë shumë të vështirë për t’u zbuluar dhe të pashpjegueshme për programuesit, ashtu siç është e vështirë të zbulosh studentin që e “ndihmon” veten të shkruajë kapituj të tërë të tezës nga ChatGPT. Së fundi, që nga viti 2022 startup-i izraelit Toka, në pronësi të ish-kryeministrit Ehud Barak, ka tregtuar (dhe transferuar te qeveritë dhe shërbimet sekrete) programe të afta për të hyrë në kamerat e vëzhgimit, duke futur imazhe që u mundësojnë atyre të fusin edhe njerëz që as nuk janë as aty.
Prandaj, në botën tonë virtuale është shumë e vështirë të dallosh të rremen nga e vërteta. Kjo vështirësi është e rrezikshme (mendoni pasojat e një videoje të rreme të Putinit që shpall një sulm bërthamor) dhe sigurisht që do të bëhet gjithnjë e më shumë, me përparimin teknologjik dhe sikur makina të bëhet më inteligjente se programuesi i saj. Ja pse masat legjislative që përpiqen të rregullojnë këtë problem të paprecedentë na bëjnë të buzëqeshim me naivitetin e tyre, në mos dyshimin e komploteve, për rreziqet që i shkaktojnë demokracisë.
GDPR (Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave të 2016), për shembull, i jep përdoruesit të drejtën për të marrë shpjegime në terma të kuptueshme të mënyrës se si cilën makina përpunon të dhënat e tij. Në realitet, as programuesi nuk e di. Kohët e fundit, përsëri në Evropë, Akti i Shërbimit Dixhital i vitit 2022, i cili hyri në fuqi më 17 shkurt, jo vetëm që përsërit këtë parim, por u jep platformave një lloj detyre për të dalluar lajmet e rreme nga lajmet reale, me një gjobë të rëndë (deri në 16% të xhiros).
Kjo gjeneron një fuqi të jashtëzakonshme censurimi pikërisht në duart e atyre ‘7 madhështorëve’, që do të donin të kufizonin fuqinë e tyre të tepërt, të cilët do të kenë detyrimin për të publikuar vetëm lajmet që vijnë nga mediat kryesore, duke përjashtuar si të rremë çdo informacion të ndryshëm nga ai që pushtetet duan të dalin. Kjo ka ndodhur në Itali, ndër të tjera, edhe për televizionin me përhapje kombëtare Byoblu. Që e gjithë kjo po ndodh ndërkohë që ne presim vendimin për çështjen Assange, një gazetar që rrezikon disa dënime të përjetshme për shkak se ka vënë në dispozicion të publikut një platformë të ‘të vërtetës’, tingëllon më e pakta shqetësuese. / Forbes – Bota.al