Natën e 26 nëntorit 2008, Gautam Adani, atëherë njeriu i dhjetë më i pasur në Indi, ishte duke darkuar në hotelin luksoz Taj Mahal të Mumbait, kur pa disa persona të armatosur që hynë, qëlluan në të gjitha drejtimet dhe hodhën granata.
Dhjetë militantë të armatosur, të gjithë shtetas pakistanezë, kishin mbërritur nga deti atë mbrëmje, u ndanë në grupe, rrëmbyen automjete dhe sulmuan objektivat që kishin synim, duke përfshirë edhe dy hotele luksoze. Rrethimi 60-orësh i qytetit la 166 të vdekur dhe acaroi lidhjet midis Indisë dhe Pakistanit.
Për revistën “India Today”, Adani tregoi më vonë se si stafi i hotelit kishte zhvendosur njerëzit që darkonin në një sallë, teksa rrëmuja e përgjakshme vazhdonte jashtë. Kishte rreth 100 persona në sallë dhe në atë moment të frikshëm të gjithë nisën të fshihen nëpër cepa, duke u lutur për jetën e tyre. Adani kujton se u ul në një divan dhe u dha kurajë mysafirëve, duke i thënë të kishin besim në Zot. Pasi kaluan natën në sallë, Adani dhe pengjet e tjera u nxorën nga hyrja e pasme, pasi komandat rrethuan hotelin mëngjesin e ardhshëm. “Unë pashë vdekjen me sy. Ishte vetëm pesë metra larg”, u tha ai gazetarëve pasi u kthye në shtëpi me avionin e tij privat.
Rruga drejt suksesit
Rreth 14 vjet më vonë, Adani, 60 vjeç, është njeriu i tretë më i pasur në botë, pas Elon Musk dhe Jeff Bezos. Ai është kryetari dhe themeluesi i “Adani Group”, një konglomerat shumëkombësh me bazë në Ahmedabad, i përfshirë në zhvillimin dhe operacionet e porteve në Indi. Së fundmi, u rikthye në qendër të vëmendjes pasi po kërkon të blejë NDTV, rrjeti më i madh i lajmeve në Indi.
Ngjarjet e rrezikshme e kanë shoqëruar gjithmonë jetën e miliarderit. Sapo u shndërrua në një tregtar të suksesshëm, Adani u rrëmbye nga makina nën kërcënimin e armëve, së bashku me një mikun e tij. Mirëpo ashkush nuk u ndëshkua për këtë ngjarje, pasi biznesmeni dhe bashkëpunëtori i tij nuk u paraqitën kurrë për deponim, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga gjykata. Gautam Adani nuk ka folur shumë për këto incidente, por njëherë i tha një gazetari se dy-tri ngjarje shumë fatkeqe kishin shënuar jetën e tij.
Pasi e la shkollën kur ishte 16 vjeç, Adani u transferua në Mumbai për të provuar fatin e tij në biznes, duke tregtuar diamante. Por, kjo nuk zgjati shumë dhe dy vjet më vonë ai u kthye në Gujarat, shteti i tij i origjinës, për të drejtuar një fabrikë paketimi. Biznesmeni, i cili rrjedh nga një familje e klasës së mesme të tregtarëve të tekstilit, kurrë nuk u ndal së marri me tregti.
Pasuri marramendëse
Sot, Adani është një manjat i padiskutueshëm i infrastrukturës së Indisë. Drejton kompaninë e dytë më të madhe të çimentos në Indi, 13 porte – duke përfshirë më të madhin e vendit – dhe operon shtatë aeroporte. Sakaq, po ndërton autostradën më të gjatë të Indisë midis Delhit dhe Mumbait, i ashtuquajturi kryeqyteti tregtar i vendit.
Ai zotëron gjashtë termocentrale me qymyr dhe drejton një tubacion gazi natyror 8000 km të gjatë, por është zotuar të investojë 50 miliardë dollarë në hidrogjen të gjelbër. Gjithashtu, ka blerë miniera qymyri në Indonezi dhe Australi dhe synon të jetë shumë shpejt biznesmeni më i rëndësishëm në botë i burimeve të rinovueshme, deri në vitin 2030.
“Në pamundësi për t’u mbështetur në infrastrukturën e shkatërruar të Indisë, ai ndërtoi hekurudhat e tij private dhe linjat e energjisë elektrike. Duke mos pasur akses të lehtë në qymyrin vendas, bleu miniera në Indonezi dhe Australi dhe i çoi resurset e tyre në shtëpi përmes portit të tij.”
James Crabtree, analist politik
Gjatë rrugëtimit të tij, Adani ka pasur polemika të shumta. Aftësia e tij për të ndërtuar dhe mbajtur marrëdhënie me shumicën e liderëve politikë të të gjitha partive, e kanë ndihmuar atë në rritjen e bizneseve.
Por, sipas ekspertëve, ajo që e ka bërë të suksesshëm Adani-n është filozofia tek e cila mbështetet. Ai beson se rritja sigurohet kur interesat e një grupi biznesi janë në një linjë të ngushtë me interesat kombëtare.