Numri i njerëzve të infektuar më koronavirus në pjesët e ndryshme të SHBA-së mund të jetë 13 herë më i madh se sa numri që është raportuar, sipas të dhënave të nxjerra nga Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC) në SHBA.
Këto gjetje sugjerojnë që një numër i madh i njerëzve që nuk kanë pasur simptoma apo nuk kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mund të kenë përhapur virusin nëpër komunitetet e tyre, shkruan The Independent të mërkurën.
Studimi tregon se edhe në vendet më të goditura si New York, ku afro 1 në 4 persona kanë qenë të ekspozuar ndaj virusit, është vështirë të arrihet imuniteti i përgjithshëm.
Ekspertët besojnë se 60 për qind i popullatës në një rajon të caktuar duhet t’i ekspozohen virusit për të arritur imunitet të përgjithshëm si popullatë. Analiza, e bazuar në teste të antitrupave, është më e madhja e bërë deri tash.
“Këto të dhëna tregojnë se numri i njerëzve që kanë qenë të infektuar me virus është shumë më i lartë se sa numri i rasteve të raportuara”, tha Fiona Havers, shkencëtarja në CDC, e cila udhëhoqi studimin. “Shumica e këtyre njerëzve me siguri nuk kanë pasur simptoma ose kanë qenë pak të sëmurë dhe nuk e kanë ditur se kanë qenë të infektuar”.
Rreth 40 për qind e personave të infektuar kalojnë pa simptoma, por sidoqoftë mund të bartin virusin te të tjerët. SHBA-ja tani teston afro 700.000 persona në ditë. Rezultatet e reja theksojnë nevojën për më shumë testime, për të ditur nivelet e infektimit dhe për të përmbajtur përhapjen e virusit në njerëz të tjerë.
Disa studime kanë sugjeruar se nivelet e antitrupave, posaçërisht te njerëzit me simptoma të buta ose pa simptoma fare, mund të zhduken shpejtë. Nëse kjo është e vërtetë, një hulumtim i tillë mund të paraqesë vetëm njerëzit të cilët janë infektuar brenda dy-tre muajve të fundit, paralajmërojnë shkencëtarët.