Spitali Onkologjik në Tiranë ka lënë të sëmurën në mëshirë të fatit pasi një një nga aparaturat kryesore për terapinë me rrezatim ka dalë jashtë funksionit.
Prej më shumë se një jave, pacientët që ndjekin trajtimet e përditshme janë detyruar të presin në ankth se kur do të rifillojnë seancat e tyre.
“Na japin vetëm justifikime. Kur e pyesim stafin, thonë se s’kemi çfarë të bëjmë, do ju njoftojmë kur të rregullohet. Por për ne çdo ditë ka rëndësi, çdo orë është jetë”, shprehet një qytetare, e cila ka motrën e sëmurë me kancer të shtruar në spital.
Në një kohë kur mijëra pacientë nga i gjithë vendi mbërrijnë çdo ditë në Onkologjik për të marrë trajtimet e domosdoshme për mbijetesë, ky problem thekson sërish një të vërtetë të hidhur: shëndetësia “falas” në Shqipëri shpesh është sinonim i pritjes, mungesës dhe cilësisë së dobët.
Ky është realiteti i trishtë në sektorin e shëndetësisë publike. Çdo herë që një problem tenton të zgjidhet, menjëherë lind një tjetër. Pavarësisht se ky është ndër sektorët ku shpallen më shumë tenderë dhe investime, situatat e emergjencës nuk mungojnë.
Vetëm pak ditë më parë u denoncua publikisht mungesa e një ilaçi jetik për pacientët që vuajnë nga leuçemia miloide kronike.
Prej më shumë se dy muajsh, ilaçi nuk është i disponueshëm në QSUT, duke detyruar pacientët që ta sigurojnë privatisht ose nga të afërmit e tyre jashtë vendit, shpesh me një kosto të papërballueshme prej qindra eurosh për dozë.
Dhe nuk është vetëm ky rast. Herë mungon “Irinotekani”, herë tjetër “Carboplatina”, ndërsa ditën e sotme qytetarë denoncuan se është prishur edhe aparatura e rrezatimit në Onkologjik.
Qytetarët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ju lutemi, vendosni dorën në zemër. Këta njerëz nuk kanë kohë për të pritur, janë në luftë me vdekjen dhe duan të jetojnë. Ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme, jo vetëm për të rregulluar aparaturën, por për të vënë në funksion të plotë sistemin”, thuhet në mesazhin e një familjari të një pacienti./JOQ