Përballja e gjigantëve në Ligën e Kampionëve

 105 total views,  1 views today

Bayern Munichu fillon kampanjën në Ligën e Kampionëve të martën me përballjen e madhe ndaj Barcelonës në stadiumin “Camp Nou”.

Në garën elitare të Evropës, Bayerni futet me besim të madh pasi është përforcuar gjatë verës duke e “plaçkitur” rivalin kryesor të Bundesligës, Leipzigun.

Ndërsa Paris Saint-Germaini tërhoqi yjet si Lionel Messi e Sergio Ramos dhe Manchester Unitedi u fokusua në rikthimin e Cristiano Ronaldos, kampioni i Bundesligës e sulmoi Leipzigun duke ia rrëmbyer talentet.

Bayerni në ndeshjen kundër Barcelonës futet i nxitur nga rezultatet këtë edicion në kampionatin gjerman ku ka tubuar dhjetë pikë nga katër ndeshje. Ndeshja mes Barcelonës dhe Bayernit zhvillohet të martën prej orës 21:00 dhe i takon Grupit E të Championsit. Kjo përballje gjigantësh garanton fillim të zjarrtë të Ligës së Kampionëve, përkatësisht fazës grupore të saj.

“Jemi të mbuluar mirë në të gjitha pozitat, kemi opsione të mjaftueshme. Jemi ekip shumë garues këtë sezon, jo vetëm në Bundesligë por edhe në Evropë”, ka insistuar kreu i Bayenit, Oliver Kahn.

Mbrojtësi francez Dayot Upamecano u transferua nga Leipzigu për 42 milionë euro, ndërsa për mesfushorin Marcel Sabitzer, Bayerni i pagoi rivalit të Bundesligës 16 milionë euro. Në fakt, këta janë edhe përforcimet kryesore të Bayernit për sezonin 2021/22. Për ironi, Sabitzer debutoi me fanellën e Bayernit vikendin e shkuar, në fitoren 4:1 ndaj Leipzigut, ekip ku mesfushori austriak ishte kapiten. Bayerni gjithashtu ia pagoi Leipzigut 20 milionë euro tjera dëmshpërblim për t’ia marrë trajnerin perspektiv, 34-vjeçarin Julian Nagelsmann, me të cilin firmosi kontratë pesëvjeçare. Nagelsmann thotë se skuadra që ka trashëguar është “më se e mjaftueshme”. Ai parashikon përdorimin e një grupi bazë prej 14 deri në 15 lojtarësh për “90 për qind” të ndeshjeve këtë sezon.

Krahas Barcelonës, Bayerni e ka në grup edhe Dynamo Kievin e Benfican. Dueli i së martës do të jetë i pari mes Barcelonës e Bayernit që nga çerekfinalja e edicionit 2019/20, në të cilën bavarezët eliminuan spanjollët me rezultatin e thellë, 8:2. Në atë edicion Bayerni edhe u shpall kampion i Evropës.

Këtë herë Barcelona do të jetë pa yllin e saj kryesor, Lionel Messi, i cili iu bashkua Paris Saint-Germainit si lojtar i lirë. Përkundër kësaj, trajneri i Bayernit, Nagelsmann e vlerëson Barcelonën kundërshtar të fortë dhe tejet të papërshtatshëm.

“Është vështirë të them nëse Barcelona është më e fortë apo me e dobët pa Messin, por mund të them se është një ekip tjetër. Nuk e ka Messin, por ka lojtarë që mund të dalin nga hija e tij. Barcelona këtë edicion e ka ndërruar strukturën dhe nuk do të jetë aspak lehtë për ne”, ka pranuar Nagelsmann. “Natyrisht, dëshira është të startojmë me rezultat të mirë edhe në Evropë”.

Ndërkohë kapiteni i Bayernit, portieri Manuel Neuer, as që e ka marrë parasysh fitoren e thellë të Bayernit para dy sezoneve.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar prej asaj ndeshjeje. Ne nuk po mendojmë më për atë fitore. Tani përballë kemi një ekip krejtësisht të ri”, ka insistuar Neuer.

Kapiteni i Barcelonës, Sergio Busquets, ka pranuar se ende është i shokuar me largimin e Messit nga “Camp Nou”. Megjithatë, ai ka shtuar se Barça është e gatshme ta fillojë sezonin në Ligën e Kampionëve pa yllin argjentinas, për herë të parë që nga viti 2003. Messi ka shënuar 120 gola në 149 paraqitje evropiane për Barcelonën dhe e ka fituar Ligën e Kampionëve katër herë, tri me Busquetsin përkrah.

“Jam ndier si të gjithë në klub, i habitur, sepse Leo ka pasur domethënie të madhe për Barcelonën, por edhe për mua. Kur u largua kam pasur emocione dhe kisha vështirësi t’i menaxhoja ato. Por, këto vendime të vështira nuk varen nga ne dhe tani duhet të shikojmë përpara”, ka shtuar Busquets. “Këtë sezon jemi ambicioz në Champions dhe natyrisht që synimet i kemi të mëdha, me gjithë që jemi një ekip krejtësisht tjetër në strukturë dhe lojtarë”.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •