Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrëdhënia me ish kreun e PS-së, Fatos Nano sot është e bukur, pasi ai me vullnetin e tij është çuar nga tavolina e “shahut”.
Rama foli sot për marrëdhënien e tij me ish kryetarin e Partisë Socialiste dhe ish kryeministrin Fatos Nano pas një interviste të këtij të fundit në media.
“Ajo që mund të them unë për marrëdhënien me Fatos Nanon për të cilën kam folur edhe më parë, që është një marrëdhënie shumë e bukur sot, sepse nuk ka në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik mes aktorëve. Ai me vullnetin e tij është çuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të tërhiqet me një dorëheqje pas një fushate elektorale dhe është pik referimi, në sensin se ai ka qenë këtu, e duke qenë i zhveshur nga interesat e dinamikat e imponuara të çdo aktori që është në tavolinën e shahut, ka të gjithë eksperiencën e qetësinë për të më dhënë opinionet e duhura kur ja kërkoj, që do të thotë që jam unë që kërkoj opinionin e tij, nuk është ai që ofrohet në rast se unë nuk ja kërkoj”, tha Rama.
Kryeministri e vlerësoi pozitive faktin se ai ka mundësinë të ketë këtë komunikim me një ish-paraardhës në detyrën e kryeministrit.
“Diferenca është se ai nuk ka patur paraardhës me eksperiencën e duhur dhe talentin e duhur për të nxjerrë mësime nga eksperienca e përfundime për të ndihmuar pasardhësin. Unë e kam, është një aset, fat e kënaqësi që në këtë detyrë të kesh mundësi të komunikosh me ata që e kanë patur këtë detyrë përpara”, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri tha se këtë komunikim me Nanon e përmirëson edhe fakti se ai ka qenë në këtë detyrë dhe e di vetminë që ndjen në atë post.
“E di se çdo me thënë vetmia e majës, të gjithë ata që nuk e kanë jetuar majën kujtojnë se në majë bëhet qejf, mbretërohet e jepen urdhëra e kundrohet jeta. Në majë je vetëm e erërat fryjnë nga të katër anët. Të gjithë të tjerët që i ke çdo ditë e bashkëpunon dhe falë tyre bën punët e përditshme nuk ekzistojnë, jo se nuk duan, ata aty janë, por je vetëm”,tha Rama./ATSH/