Lidhur me miratimin e rezolutës së OKB-për Srebrenicën, Vjosa Osmani, ka thënë se “bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica”
Osmani ka thënë se këtë ditë do ta kujtojnë më 11 korrik dhe çdo ditë tjetër.
“Me themelimin e sotëm nga UNGA të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica”, ka shkruar Osmani në platformën “X”, duke shtuar se “njohja është një çelës”.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar sot rezolutën, që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
84 shtete votuan për, 19 ishin kundër e 68 abstenuan.
Votimi erdhi pas një debati të shkurtër në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ndërsa në fjalën e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” dhe ka kërkuar që të mos mbështetet.