Rifillimi i Bundesligës ishte i nevojshëm për mbijetesën e klubeve

 174 total views,  1 views today

Rifillimi i Bundesligës ka qenë i nevojshëm për të ruajtur klubet me histori shekullore, ka thënë shefi ekzekutiv i ligës gjermane, Christian Seifert.

Elita gjermane është bërë liga e parë e madhe evropiane e futbollit që është kthyer, të shtunën. Futbolli në gjithë Evropën ishte pezulluar në mars për shkak të koronavirusit.

Ligue 1 është anuluar, ndërsa Serie A, La Liga dhe Premier League synojnë rifillimin muajin e ardhshëm. Kështu që të gjithë sytë ishin të kthyer kah Bundesliga dhe kategoria e dytë gjermane, që ndeshjet i kanë zhvilluar pa praninë e shikuesve.

Sipas Seifertit, mos-vazhdimi i edicionit do të sillte në rrezik ekzistencën e klubeve.

“Unë jam përgjegjës për 36 kompani të vogla dhe të mëdha, që kishin ndërprerë aktivitetin dhe që duhej të rifillonin atë. Mos të kesh të hyra për dy muaj është e rrezikshme. Shumë prej këtyre kompanive janë të vjetra 100 vjet, kështu që unë është dashur të garantojë ekzistencën e tyre. Ne nuk kemi rrezikuar shëndetin e publikut të gjerë dhe nuk kemi vjedhur teste nga askush. Nëse mund të rifillojmë ligën me resurset tona dhe pa kërkuar para nga shteti, pse mos të bëjmë këtë? Po ashtu Gjermania e do futbollin. Tetëdhjetë milionë njerëz e kishin virusin në mendje dhe ne i kemi ndihmuar ta harrojnë pak. Ne vetëm duam të trajtohemi si çdo industri tjetër”, ka thënë Seifert për Marca.

Ai ka konfirmuar se ligat tjera kanë marrë shënime për masat e marra në Gjermani.

“Kemi pranuar komplimente të shumta nga e gjithë botë. Shumë prej ligave janë interesuar për protokollin tonë dhe për organizimin. Ky është nder i madh. Sa më shpejtë të kthehet sporti aq më mirë do të jetë për shoqërinë”.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •