Dhe për t’ia vënë kësaj kapakun, SHBA-ja po ndërton aktualisht një ndërtesë të re për një spital më të madh ushtarak në Weilerbach me pesë mijë dhoma, 42 departamente të veçanta dhe nëntë salla operimi me një kosto prej 990 milionë dollarësh. Dhe që ta dini, nëse keni hamendësime, spitali po ndërtohet për trupat amerikane – e jo për ushtarët gjermanë
(Foreign Policy) – Zyrtarët e administratës së presidentit Donald Trump kanë bërë të ditur një plan për reduktimin e nëntë mijë e pesëqind trupash amerikane në Gjermani. Supozohet se ky veprim do ta ndëshkonte Berlinin për mungesë të shpenzimeve të mjaftueshme në mbrojtje, një qortim i shprehur vazhdimisht nga presidenti amerikan.
Në realitet, ka një keqkuptim kur vjen puna te trupat amerikane në Evropë dhe ai keqkuptim bazohet në supozime të zakonshme të rreme: se ushtria amerikane në Gjermani rri aty vetëm për hir të vendasve, se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë perceptim të kërcënimit të përbashkët dhe se argumenti për shpenzimet në mbrojtje aktualisht përbëjnë dy për qind të bruto prodhimit të brendshëm.
Administrata e radhës duhet t’i korrektojë këto gabime nëse dëshiron ta ruajë fuqinë amerikane në Evropë.
Doktrina e projektimit të fuqisë
Doktrina e vendosjes së bazave tejoqeanore ishte krijuar më 1943 kur planifikuesit ushtarakë të Departamentit të Luftës vendosën që të përtërinin strategjinë e synuar të hegjemonisë amerikane në oqeanet e Paqësorit dhe të Atlantikut. Avancimi i bombardimeve me rreze të gjata veprimi dhe zhvillimi i armëve bërthamore bënë që planifikuesit të besonin në supozimin se armiqtë e ardhshëm do të bombardonin SHBA-në kontinentale për të shkatërruar mobilizimin industrial, të domosdoshme për një përpjekje amerikane për luftë. Bazat tejoqeanore do t’ia mundësonin SHBA-së të angazhohej në një sulm nga cilido shtet larg brigjeve amerikane dhe ia lejonte projektimin e fuqisë në kohë paqe.