Ndryshe nga këto pamje që u sërvirën të shtunën në sheshin “Skënderbej”, një ditë më pas shoqëria civile protestoi në mënyrë paqësore dhe duke ruajtur distancën mes pjesëmarrësve.
Mbështetës të teatrit dhe qytetarë u grumbulluan pranë Gjykatës Kushtetuese me thirrjet kundër ndryshimeve të reja të kodit penal që parashikojnë sanksione të rënda për thyerjen e karantinës.
Protestat kundër shembjes së teatrit, mbështeten dhe nga qytetarët të cilët kërkojnë që godina ekzistuese të qëndroje muze, ndërsa projekti për teatrin e ri të vendoset në një zonë tjetër.
“Jemi kundër, është lojë mafioze.Ja ku e ka bulevardin e ri që e ka bërë gati, ta ndërtojë atje.Kemi nostalgji, të gjitha shfaqjet aty i kemi parë”.
“Është një trashëgimi historike që duhet të ruhet”.
Qytetarët janë skeptik për sa i përket planit të ri, teksa shprehen se Bashkia mund të ketë interesa të tjera përveç teatrit.
“Këtu nuk bëhet fjalë as për Teatër, as për sheshe, këtu ka interesa ekonomike madhore. Njerëz me kapitale që i kanë siguruar në forma dhe rrugë të ndryshme duan ti investojnë dhe të pasurohen më tepër.”
Protestat kundër shembjes së teatrit janë shtuar së fundmi, pasi qeveria i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar.
Në fakt kjo procedurë u vendos me një ligj të miratuar pa shumë zhurmë në Kuvend.
Madje në këtë rast bashkive u jepet e drejta që truallin t’ia kalojnë dhe privatit përmes negociimit./Ora news/