Një shpërthim i fuqishëm gazi në një minierë qymyri në veri të Kinës ka lënë të paktën 82 persona të vdekur dhe dy të zhdukur, sipas autoriteteve.
Ngjarja ndodhi të premten, më 23 maj 2026, në orën 19:29 me orën lokale, në minierën Liushenyu në provincën Shanxi. Në momentin e shpërthimit, rreth 247 punëtorë ndodheshin nëntokë.
Autoritetet kineze thanë se shpërthimi u shkaktua nga gazra toksikë dhe se shumë minatorë u prekën nga thithja e tyre. Fillimisht u raportua një numër më i lartë viktimash, por më vonë ai u korrigjua pas verifikimeve në terren, për shkak të kaosit në orët e para të incidentit.
Mbi 100 persona u shpëtuan nga ekipet e emergjencës, ndërsa 128 të tjerë po marrin trajtim në spitale, disa prej tyre në gjendje kritike. Shumica e të plagosurve janë helmuar nga gazra të rrezikshëm nëntokësorë.
Operacionet e shpëtimit vazhduan gjatë natës dhe në mëngjes, me qindra ekipe të angazhuara në terren. Autoritetet përdorën edhe robotë të pajisur me sensorë gazi dhe kamera infra të kuqe për të hyrë në pjesë të paarritshme të minierës dhe për të kërkuar të mbijetuar.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, kërkoi që të mos kursehen përpjekjet për shpëtimin dhe trajtimin e të plagosurve. Ndërkohë, qeveria kineze njoftoi një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe premtoi ndëshkime të ashpra për përgjegjësit.
Autoritetet gjithashtu urdhëruan inspektime urgjente në të gjitha minierat e qymyrit në provincën Shanxi dhe pezulluan përkohësisht disa operacione minerare për arsye sigurie.


