Sipas fjalëve të një të mbijetuari të Holokaustit, Shqipëria ishte “Kopshti i Edenit” për refugjatët hebrenj.
Në një kohë kur regjimi nazist nuk u linte derë hebrenjve, e Aushvici funksiononte në kapacitete maksimale, ishin shqiptarët ata të cilët hapën dyert dhe zemrat e tyre për popullin hebre. Derisa nëpër botë po vazhdonte Holokausti, në Shqipëri popullata hebraike u rrit.
Për nder të ditës përkujtimore të Holokaustit, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është shfaqur dokumentari “Përqafimi i fatit”.
Me regji të Jakov Sedlar, ky dokumentar tregon për lidhjen dhe besën e shqiptarëve e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Realizimi i këtij dokumentari nuk ka qenë i lehtë, por me ndihmën e shumë njerëzve, kemi shënuar sukses. Mendoj se ky rrugëtim është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën, sepse jemi munduar t’u japim zë historive të hebrenjve nga këto dy vende. Duke u bazuar në shumë fakte e dokumente, besoj se kemi arritur të tregojmë rrëfime shumë të rëndësishme për të gjithë botën, jo vetëm për popullin hebre”, ka thënë Sedlar.
Ajo që i mbajti të gjallë hebrenjtë në Shqipëri, ishte tradita e lashtë e Besës.
I mrekulluar nga historitë e të mbijetuarve të Holokaustit, ka qenë Ami Drodz, ai i cili në vitin 1991 ka marrë rrugë për në Shqipëri, për t’i dëgjuar e dokumentuar këto rrëfime.
“Në vitin 1991, menjëherë pas revolucionit, kam shkuar në Shqipëri për një hulumtim 10-ditor. Jam mahnitur nga historitë dhe kam vazhduar në Izrael për t’i kërkuar të shpëtuarit. Ata ishin të mbushur me dashuri e falënderim për shqiptarët. Më patën thënë se nuk kanë mundur as t’u shkruajnë shpëtimtarëve të tyre, sepse gjatë regjimit komunist nëse ke marrë letër nga jashtë, je përndjekur nga policia. Kam qenë me fat që jam takuar me ata njerëz. Çfarë ishte më e bukura, shumë nga familjet e shpëtuara kanë dashur t’i paguajnë shqiptarët për ushqimin e vendstrehimet që u kanë siguruar gjatë asaj kohe, por ata nuk kanë pranuar asnjëherë. Për ta, me rëndësi ishte nderi”, është shprehur Drodz.
Realizimi i dokumentarit “Përqafimi i fatit” ka zgjatur 4 vjet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe AS Film, për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit.
©