Studimi i MRB dhe Euronews Albania ofroi një panoramë interesante lidhur dhe me variacionin e besimit tek institucionet në vend, me fokus të veçantë edhe tek moshat.
Ndërkombëtarët, shëndeti dhe shkollat zënë vendet kryesore të institucioneve më të besuara nga shqiptarët. Ku, mosha 18-24, 45-54 dhe 65-57 vjeç besonin më shumë në komunitetin ndërkombëtar.
Në kujdesin shëndetësor kishin më shumë besim personat në moshë 35-44 vjeç dhe ata 65-71 vjeç ndërsa më pak besim të rinjtë.
Mosha e rritur 45-71 vjeç gjithashtu kishte më shumë besim tek media televizive sesa pjesa tjetër e shoqërisë.
Opozita, ndonëse e renditur me 34.5% të besimit të popullsisë (besimi më i ulët 19% dhe më i larti rreth 48%) kishte besimin më të lartë tek mosha 25-34 dhe 45-54 vjeç.
Besimi i shqiptarëve tek institucionet arsimore paraqitet i lartë në moshë të re 18-24, por duket se bie ne moshën 25-34 vjeç dhe më pas vazhdon të rritet tek moshat mbi 35 vjeç, që mund të interpretohet si besim tek ky institucion nga prindërit e nxënësve dhe studentëve.1 / 2
Moshat e reja paraqiten gjithashtu me pak besim tek qeveria, ndryshe nga moshat mbi 35 vjeç, po ashtu ata kanë më pak besim se moshat më të rritura tek përfaqësuesit fetarë, policia, prokuroria, qeveria lokale, shoqëria civile, gjykatat dhe parlamenti.
Besim shumë të ulët tek të rriturit gëzojnë portalet, mediat online.
Ndërsa të gjitha moshat në përgjithësi duket se besojnë pak në gjykata dhe parlament.
Metodologjia:
Studimi i hulumtimit të mendimeve dhe qëndrimeve të shqiptarëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021 mbuloi 12 zona elektorale, urbane dhe rurale dhe u bazua mbi 1600 intervista ballë për ballë të meshkujve dhe femrave me të drejtë vote. Intervistat u kryen në periudhën 22 dhjetor 2020 deri më 13 janar 2021.
Tematikat e studimit ishin besimi në institucione, menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe menaxhimi i pasojave të tërmetit./Euronews/