Ambasadori i BE, Luigi Soreca, ka mbështetur thirrjen e kryekomisionerit të KQZ-së, Ilirjan Celibashit për partitë politike, që të zhvillojnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët që të zgjedhin kë ata dëshirojnë.
Me anë të reagimi, Soreca thekson se partitë politike në vend dhe kandidatët duhet të përqendrohen në programet e tyre përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë.
“Ne pajtohemi me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi. Partitë politike dhe kandidatët duhet të përqendrohen tani në programet e tyre përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ne kemi besim në të gjitha institucionet përkatëse dhe politike të Shqipërisë. Aktorët të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e KQZ-së”, shprehet Soreca.
Kolegji Zgjedhor një ditë më parë pranoi kërkesën e Partisë Socialiste që qytetarët të votojnë me numra në zgjedhjet e 25 prillit.
Celibashi tha sot se fleta e votimit është e vlefshme edhe nëse votuesi zgjedh vetëm një kandidat, edhe pse nuk ka zgjedhur partinë politike dhe koalicionin.