Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur si e tillë nga UNESCO, në nëntor 1999. Termi gjuhë amtare zakonisht i referohet gjuhës së parë të mësuar që flitet që në vegjëli.
Ideja për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare ishte iniciativë e Bangladeshit. Kjo ditë është mundësi për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe për të ruajtur dallimet në kultura dhe shumëgjuhësinë.
Të paktën 45% e rreth 7000 gjuhëve që fliten në botë janë të rrezikuara. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se 100 përdoren në botën dixhitale.
Gjuha jonë daton që nga viti 1462, kur Imzot Pal Engjëlli, shkroi në shqip Formulën e Pagëzimit. Gjuha shqipe u rezistoi dekadave të shumta, ndërkohë që gjuhëtarët kohët e fundit janë të shqetësuar, pasi shqipja është e rrezikuar nga trysnia e shumtë e fjalëve të huaja.
Gjuhëtarë të ndryshëm herë pas here kanë theksuar se ndërveprimet ekonomike dhe kulturore me vende të tjera të botës, kanë bërë që gjuha shqipe të rrezikohet, duke u pasuruar me fjalë të huaja të panevojshme.
Sipas OKB-së, çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë pas një kulturë të tërë dhe një pasuri intelektuale. OKB u bën thirrje shteteve të saj anëtare “të promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës”.