SPAK kërkon rikthimin në burg/ Gjykata nuk gjen Lefter Kokën. Posta: Është larguar

albnews
By
5 Min Read

Nga Boldnews.al

Prokuroria e Posaçme nuk është aspak dakord me lirimin para kohe nga burgu të ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar me tre vendime jo-përfundimtare për atë që konsiderohet si “afera e inceneratorëve”.

Në Shkurt 2026, Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e marrë nga shkalla e parë për lirimin para kohe të Kokës, nën argumentin se kanë përfunduar afatet e paraburgimit.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka bërë rekurs ndaj këtij vendimi, duke këmbëngulur se Lefter Koka duhet të rikthehet në ambjentet e paraburgimit.

Rekursi është dorëzuar në 10 Prill 2026 në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, si institucioni që ka dhënë vendimin më të fundit në radhë.

Ligji procedurial parashikon që rekursi t’i njoftohet menjëherë të pandehurit. Por, në rastin e Kokës, ai rezulton se nuk ka marrë njoftim nëpërmjet shërbimit postar.

Në foto: Shpallja publike e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për Lefter Kokën

Gjykata e Apelit të Posaçëm thotë në një njoftim publik se “kërkuesit/të pandehurit Lefter Haki Koka nuk i është komunikuar rekursi, pasi nga shërbimi postar është kthyer dëftesa e komunikimit me shënimin: “Larguar”.

Në këto kushte, Gjykata ka vendosur të përdor mekanizmin e fundit ligjor të njoftimit, atë të “shpalljes publike”.

Lirimi para kohe i Lefter Kokës

Ish-Ministri i Mjedisit, Koka, i arrestuar në dhjetor 2021 për “shpërdorim detyre”, “pastrim produktesh të veprës penale” dhe “korrupsion” është dënuar me tre vendime jo-përfundimtare për atë që konsiderohet “afera e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës”.

Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme mori në shqyrtim kërkesën e tij për lirim, si pasojë e përfundimit të afateve maksimale të paraburgimit.

Në foto: Vendimi i Gjykatës së Posaçme që e riktheu në liri ish-ministrin Lefter Koka

Prokuroria e Posaçme e kundërshtoi këtë kërkesë, me argumentin se ajo nuk qëndron procedurialisht. Por, Gjykata e Posaçme e pa situatën shumë ndryshe.

Sipas trupës gjyqësore, Lefter Koka kishte tejkaluar afatet e paraburgimit, bazuar në një intepretim që ka bërë më herët Gjykata e Lartë lidhur me llogaritjen e kohës në qeli, në rastet kur ka mbivendosje të masave të sigurimit dhe dënimeve penale.

Për Gjykatën e Posaçme, SPAK-u nuk ka arritur ta kuptojë si duhet orientimin që ka dhënë Gjykata e Lartë në një vendim të vitit 2024. Dhe, në konkluzon, vendimi lirimin nga burgu të ish-ministrit të Mjedisit.

Prokuroria e Posaçme e ankimoi vendimin. Gjykata e Apelit të Posaçëm, në 26 Shkurt 2026, la në fuqi vendimin për lirimin e Kokës. Ky vendim bazohet në orientimin e Gjykatës së Lartë, një orientim që, sipas trupës së Apelit, gjithësesi, “ngre pikëpyetje për zbatueshmërinë dhe domosdoshmërinë e tij”.

Arrestimi dhe dënimi i Lefter Kokës

Lefter Koka u arrestua në 14 dhjetor të vitit 2021, në kuadër të hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Më tej, ndaj tij u caktuan masa sigurimi “arrest me burg” edhe për “inceneratorin e Fierit” dhe “inceneratorin e Tiranës”.

Ndaj tij u zhvilluan tre procese gjyqësore paralele, të cilat nuk u bashkuan kurrë, megjithëse kishin dinamikë, zhvillim dhe personazhe thuajse të njëjtë.

Në foto: Ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në gjykatë

Në shtator të vitit 2023, Koka u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim edhe për “inceneratorin e Fierit”. Ky rast ëshë ende në shqyrtim, pasi Gjykata e Lartë e ka rikthyer në Apelin e Posaçëm.

Në nëntor 2024, Lefter Koka u dënua nga  Apeli i Posaçëm për aferën e inceneratorit të Elbasanit, me 10 vjet burgim. Për shkak të procedurës me gjykim të shkurtuar, ai u dënua me 6 vjet e 8 muaj.

Për “inceneratorin e Tiranës, Koka u dënua me 3 vjet e 4 muaj në Prill të vitit 2025. Edhe ky proces u zhvillua me gjykim të shkurtuar dhe Lefter Koka u dënua përfundimisht me 2 vjet burgim. Në të njëjtën seancë, Gjykata e Posaçme shpalli se Koka e ka shlyer këtë dënim me periudhën e paraburgimit. Ky rast është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Në mënyrë të përmbledhur, përgjatë katër viteve të fundit mbi Lefter Kokën kanë rënduar tre dënime dhe tre masa sigurimi “arrest në burg”.

Share This Article