Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi sot se “Shqipëria, institucionet e saj dhe ne si komb s’kemi qenë kurrë më pranë procesit historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Në fjalën e saj në Kuvend Spiropali theksoi se “nuk kemi qenë kurrë më pranë Europës është falë këmbënguljes dhe luftës që kemi bërë për të mbajtur institucionet në këmbë. Për këtë ka meritë dhe opozita parlamentare dhe deputetët edhe pse shpesh ata që e kanë bërë me akte e hedhin me fjalë, sepse ka mbetur tradita e kundërshtimit me fjalë”.
“Nuk do ta merrja fjalën në rast se nuk do të dëgjoja dy ish-deputetë, që partia e tyre i nxori në rrugë, të flisnin mbi largimin e Shqipërisë nga Europa dhe distancën që kemi krijuar ne me institucionet e BE-së. Të vësh duart në kokë është pak, por jo vetëm këta dy deputetë, por të gjithë deputetët e tjerë u nxorën zvarrë me vendim të ish-kryetarit Sali Berisha duke braktisur institucionet në 2019. Në vitin më të rëndësishëm për Shqipërinë, pas vendimit të 2018 duke marrë konsideratën e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës amerikane që e konsideroi një minim të demokracisë dhe sabotim të përparimit të rëndësishëm që Shqipëria ka bërë në rrugën e saj europiane”, – nënvizoi Spiropali.
Ministrja Spiropali u shpreh se “janë po të njëjtit njerëz që pa turp flasin për perspektivën europiane dhe përpjekjet që kanë bërë për të na afruar me Europën, kur ishin ata që sulmuan fizikisht institucionet, por edhe me forcën e vendimit të kryetarit të tyre dhe ish kryetarit për të ruajtur sigurinë e tyre politike e partiake larg nga drejtësia e re”.
“Po ju them me përgjegjshmëri të plotë se nëse ka mazhorancë që ka bërë të pamundurën të mundur, për sa i përket integrimit në BE-së, është kjo mazhorancë, ky kryeministër, kjo qeveri, me fakte. Reforma në Drejtësi dhe ajo zgjedhore që konsiderohen si detyra të kryera nga mazhoranca dhe qeveria janë falë këmbënguljes së kësaj mazhorance, edhe përkundër minimit të demokracisë, sabotimit të zgjedhjeve, braktisjes së institucioneve, në vitin më të mbrapshtë të rëndësishëm”, – tha Spiropali.
Në 25 mars 2020, shtoi ajo, ne morëm vendimin e Këshillit për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe që në atë ditë me caktimin e prioriteteve kryesore, kemi bërë të mundur, edhe pse ishte një vit i vështirë si 2020, ne të përmbushim të gjitha detyrat ashtu siç tha edhe Komisioneri për Zgjerim në këtë foltore.
“Konkretisht miratimi i reformës zgjedhore sipas OSBE/ODIHR, Gjykata e Lartë dhe ajo kushtetuese tashmë plotësisht funksionale, ngritja e SPAK dhe BKH dhe forcimi kundër korrupsionit dhe trafikut. Këshilli i 25 marsit përcaktoi këto përparësi, ato që rëndom ata i quajnë kushte me një ngërdheshje që pasqyron gjendjen e tyre të brendshme që kushtet Shqipërisë t’i shtohen. Por edhe Gjermania e deklaroi në fund të vitit që kaloi se Shqipëria i ka bërë detyrat falë kësaj mazhorance dhe i takon BE të mbajë fjalën dhe në këtë 6-mujor të përcaktojë kornizën e vet negociuese dhe datën për konferencën e parë ndërqeveritare”, – tha Spiropali. /