Kryeministri britanik Keir Starmer ka paralajmëruar se situata ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar nuk do të rikthehet menjëherë në normalitet, edhe nëse rihapet Ngushtica e Hormuzit.
Në një intervistë për BBC Radio 4, Starmer theksoi se vendi duhet të ndryshojë kurs dhe të mos rikthehet në “status quo”-në e mëparshme, të cilën e konsideroi të dështuar pas krizave të njëpasnjëshme si ajo financiare e vitit 2008 dhe pandemia e COVID-19.
“Status quo-ja nuk funksiononte, ndaj nuk mund ta përsërisim. Duhet të ndjekim një drejtim tjetër”, u shpreh ai.
I pyetur nëse publiku duhet të përgatitet për një rritje të inflacionit si pasojë e krizës së naftës që lidhet me Irani, Starmer konfirmoi se presionet ekonomike janë të pashmangshme, duke theksuar se bota po përballet me një situatë të ndërlikuar, që ai e përshkroi si “luftë në dy fronte”.
Ai bëri të ditur se po punon për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit përmes një koalicioni ndërkombëtar, në bashkëpunim me presidentin francez Emmanuel Macron. Megjithatë, kryeministri britanik theksoi se edhe pas një zgjidhjeje të mundshme, stabiliteti nuk do të rikthehet menjëherë.
“Edhe nëse ngushtica hapet, nuk duhet të krijohet ideja se gjithçka kthehet në normalitet. Realiteti është më kompleks”, deklaroi ai, duke shtuar se konflikti në Ukraina dhe zhvillimet globale tregojnë një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

