Ekspozimi në ajër të ndotur e rrit në masë të konsiderueshme rrezikun për shterpësi, sipas studimit të parë që është bërë për hulumtimin e këtij rreziku ndaj popullsisë së përgjithshme.
Analiza e bërë me 18.000 çifte në Kinë tregoi se personat që jetojnë në vende me ajër më të ndotur janë 20 për qind më të rrezikuar nga shterpësia, e përshkruar si mungesë e shtatzënisë një vit pas përpjekjeve.
Lloji i studimit nuk u mundësoi shkencëtarëve që të zbulojnë se në çfarë mënyre mund ta dëmtojë ajri i ndotur pllenimin, por grimcat ndotëse dihet që shkaktojnë inflamacion, i cili mund ta dëmtojë prodhimin e vezëve dhe spermës, thanë shkencëtarët.
Sipas një studimi tjetër me 600 gra që shkuan në një klinikë amerikane për pllenim, ekspozimi i shtuar në ajër të ndotur është i lidhur me numër më të vogël të vezëve të pjekura në vezore, shkruan The Guardian.
Shterpësia prek miliona çifte në mbarë botën, por deri tani ka pak studime shkencore për ndikimin e ajrit të ndotur në këtë aspekt. Sidoqoftë, tashmë dihet se ajri i ndotur e rrit rrezikun për probleme tjera të riprodhimit, si lindjet e parakohshme dhe pesha e vogël e foshnjave të porsalindura.
Udhëheqësi i studimit, Qin Li, tha se rreth 30 për qind e çifteve që s’kanë arritur të kenë fëmijë kanë shterpësi të pashpjegueshme, duke theksuar se mosha, pesha dhe pirja e duhanit janë faktorë të njohur mirë. “Studimi ynë tregon se ndotja me mikrogrimca mund të jenë faktor i painjorueshëm rreziku për shterpësi”, tha ai.