Sulmet ruse në Ukrainë kanë goditur me raketa balistike kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme teksa ministri Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër pas këtij sulmi .
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi ngjarjen të papranueshme, duke theksuar se jeta e diplomatit shqiptar është vënë në rrezik serioz nga sulmet e ushtrisë ruse ndaj objektivave civile.
Ministri dënoi atë që e quajti një tjetër përshkallëzim të rëndë të agresionit rus në Ukrainë, duke nënvizuar se targetimi i zonave civile dhe rrezikimi i personelit diplomatik përbën shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.
Postimi i plotë në X i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha:
Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor.


