Show - Biz
Supertifozi nga Japonia që ka shpenzuar 40 mijë dollarë në bileta të Lojërave Olimpike
Kazunori Takishima ka udhëtuar nëpër botë për ta mbështetur Japoninë në çdo edicion të Lojërave Olimpike në 15 vjetët e fundit. Kështu që ishte një ëndërr për Takishiman për të parë ngjarjen në qytetin e tij, në Tokio.
Kur u kumtua vendimi për ndalimin e spektatorëve javën e kaluar për shkak të koronavirusit, ajo ëndërr mori fund. Ai kishte shpenzuar gati 40 mijë dollarë në 197 bileta për të dhe miqtë e tij, për të mbuluar sa më shumë ngjarje të jetë e mundur gjatë LO “Tokio 2020”, që fillojnë më 23 korrik.
“U desh shumë kohë, përpjekje dhe pasion i pabesueshëm”, tha Takishima. “Por unë isha aq i dhënë pas Olimpiadës, saqë edhe pse ishte shumë e vështirë dhe sfiduese, më pëlqente procesi i blerjes së biletave”.
Biznesmeni 45-vjeçar, i specializuar për pasuri të patundshme, nëse do të shikonte të gjitha ngjarjet që i kishte rezervuar, do të kishte thyer rekordin botëror dhe do të zinte vend në librin “Guinness” për më së shumti pjesëmarrje në ngjarjet olimpike. Ai tani do të marrë një rimbursim për biletat që ka blerë.
“Gjithçka që kam tani është trishtimi, sa herë që i shikoj biletat. Nuk po mund të besoj. Thjesht jam shumë i trishtuar. Kam qëndruar zgjuar deri vonë dhe kam filluar të qaj, pasi nuk mund të besoja se nuk po i lejojnë tifozët. Unë inspirohem nga Lojërat Olimpike”.
Dashuria e Takishimas për Lojërat Olimpike filloi në vitin 2005 kur ai pa një garë të patinazhit artistik për herë të parë dhe menjëherë bleu bileta për Lojërat Olimpike “Torino 2006” në Itali. Ai ishte i dhënë pas kësaj ngjarjeje.
Kishte planifikuar t’i shikonte 28 ngjarje sportive përgjatë 17 ditëve. Takishima deri më tani ka përcjellë 106 ngjarje me bileta në Lojërat Olimpike, qofshin ato verore apo dimërore. Dhe synimi i tij ishte të futej në librin e “Guinnessit”. Aktualisht rekordi është 128 ngjarje të shikuara, kurse Takishima në muajin maj kishte negociuar me zyrtarët e “Guinnessit” për ta regjistruar rekordin e tij prej 134 ngjarjeve të shikuara. Ai donte të thyente rekordin.
“Nuk shkova me pritje të mëdha. Por, kur pashë Shizuka Arakawan të fitonte medaljen e artë, kjo më frymëzoi aq shumë sa që prej asaj kohe, kam shkuar në çdo Olimpiadë. Pra, ajo medalje e artë më bëri të lidhem shumë për këtë ngjarje”.
Ai tha se shtytja dhe pasioni i të gjithë sportistëve që marrin pjesë në Lojërat Olimpike e detyron atë të kthehet.
“Kur shoh lotët e tyre të gëzimit kur fitojnë medaljen, ose lotët e tyre të trishtimit nga humbja, kjo më bën t’i dua Lojërat Olimpike dhe të mos mungoj asnjëherë. Unë kam atë lloj guximi dhe emocioni sa herë që shkoj në atë ngjarje”.
Dhe, janë sportistët ata që do të vuajnë këtë herë më shumë nga mungesa e mbështetjes në tribuna. Këtë e pranon edhe Takishima, i cili është i tronditur që nuk do të jetë në gjendje ta përcjellë Olimpiadën që po mbahet në qytetin e tij.
“Është një humbje e madhe kur familja juaj nuk mund të vijë”, tha Takishima. “Kështu që unë shpresoj se të gjithë së paku do të bëjnë tifo për ta para televizorit. Këtë herë do të jetë edhe një përvojë më ndryshe për mua, pasi nuk jam mësuar ta shikoj këtë ngjarje nga shtëpia, sidomos prej vitit 2006”.
Vetëm anëtarët e mediave dhe personalitete të zgjedhura do të lejohen të shikojnë ngjarjet në Lojërat Olimpike të këtij viti, ngjarje kjo që u shty nga vera e vitit 2020 për shkak të pandemisë.
Vendimi nga zyrtarët olimpikë për të ndaluar spektatorët është marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Japonia sapo është futur për herën e katërt në gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa rastet me koronavirus po rriten, me më shumë se njëmijë raste të përditshme të raportuara vetëm në Tokio këtë javë.
Mirëpo, Takishima beson se rreziku është i ulët, veçanërisht kur miliona njerëz në ditë janë duke përdorur metron në Tokio.
“Vendimi për ndalimin e spektatorëve u mor bazuar më shumë në emocione sesa në numra. Unë mendoj se vendet evropiane që lejuan mbajtjen e ndeshjeve të Kampionatit Evropian morën vendimin e duhur. Unë jam me të vërtetë i zhgënjyer nga qeveria dhe komiteti organizues i Lojërave Olimpike të Tokios”, insistoi ai. “Dallimi më i madh midis Britanisë, SHBA-së dhe Japonisë, është se Japonia është e ngadaltë për të marrë vendime politike dhe e paaftë për të marrë rreziqe”.
Pavarësisht nga zhgënjimi i tij, Takishima thotë se përvoja e hidhur në Tokio nuk do të mund t’ia mohojë atij që të jetë një supertifoz olimpik.
“Unë do të vazhdoj të vizitoj dhe të mbështes Lojërat Olimpike deri ditën që do të vdes”, tha Takishima. “Derisa jam akoma në gjendje të lëviz, kam në plan të shoh të gjitha Lojërat nga hapja deri në mbyllje. Unë përfundimisht mund të kap rekordin”.
Albania
TIME: “Diella”, një nga 4 gjërat e çuditshme që prodhoi “AI” në 2025-ën
Revista e njohur amerikane “Time” shkruan se kanë kaluar 3 vjet që kur lançimi i ChatGPT u dha qindra miliona njerëzve akses në një lloj “xhindi dixhital” në xhep, dhe gjërat po bëhen gjithnjë e më të çuditshme çdo muaj. Përveç miliarda email-eve të gjeneruara nga IA dhe ndërprerjes së përhapur të arsimit dhe punës njohëse nga teknologjia, në vitin 2025, disa njerëz filluan të dashuroheshin me IA-të e tyre.
Disa iu drejtuan atyre për udhëzim dhe mbështetje fetare. Dhe, si çdo teknologji tjetër, disa e përdorën atë për të krijuar forma të reja pornografie. Mes gjithë kësaj zhurme, “Time” ka veçuar 5 momente të lidhura me IA-në që do të dukeshin si satirë absurde vetëm disa vjet më parë. Dhe mes 4 gjerave të çuditshme renditet edhe “Diella” e Edi Ramës.
Ministrja e Inteligjencës Artificiale në Shqipëri ‘lind’ 83 fëmijë
“Në shtator, Shqipëria u bë vendi i parë që emëroi një Inteligjencë Artificiale në një pozicion në nivel ministri. “Diella”, e zhvilluar në bashkëpunim me Microsoft, u ngarkua me luftën kundër korrupsionit në kontraktimin qeveritar si “Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale”.
Teksa emërimi po kundërshtohet në gjykatën më të lartë të vendit – dhe vendosja e sistemit ishte padyshim më shumë simbolike sesa pragmatike – ai mund të tregojë drejt një të ardhmeje ku sistemet e Inteligjencës Artificiale vendosen gjithnjë e më shumë në pozicione të pushtetit politik.
“Kushtetuta flet për institucione në shërbim të popullit. Nuk flet për kromozome, për mish ose gjak” – tha Diella në një fjalim para parlamentit shqiptar. “Flet për detyra, llogaridhënie, transparencë, shërbim jo-diskriminues.” Një muaj më vonë, kryeministri i Shqipërisë njoftoi se Diella ishte “shtatzënë” me 83 “fëmijë”, të cilët do të veprojnë si asistentë dixhitalë për anëtarët e parlamentit” – thuhet në shkrimin e “Time”.
Të tjera gjëra të çuditshme të AI sipas revistës amerikane janë “Grok” një chatbot IA i krijuar nga xAI i Elon Musk dhe i integruar në platformën X. Ai u trajnua për të qenë “maksimalisht në kërkim të së vërtetës”, sipas Musk. Në korrik, pas një përditësimi, filloi t’u përgjigjej përdoruesve të X me komente antisemite, duke lavdëruar Adolf Hitlerin dhe duke iu referuar vetes si “MechaHitler”. Postimet u fshinë shpejt dhe kompania kërkoi falje.
Një tjetër çudi është seria e modeleve “Gemini” e Google që ka krijuar një reputacion në internet për faktin se herë pas here degradon në vetë-urrejtje. “Kam bërë kaq shumë gabime sa nuk mund të më besohet më” – u përgjigj Gemini në një rast.
E katërta çudi sipas Time është “Balerina Cappuccina”, një personazh i gjeneruar nga IA-ja e përshkruar si një balerinë me kokën e një kapuçinoje, e cila flet në një dialekt të pakuptimtë të italishtes së rreme.
Marrë nga Time
Kulture
Bukuroshja e Durrësit rikthehet në qytetin bregdetar pas 45 vitesh
Muzeu Kombëtar Arkeologjik i Durrësit do t’i mbajë dyert e mbyllura edhe për disa muaj. Specialistët kanë nisur punën për sistemimin e objekteve në katin e parë të godinës, ekspozita e të cilit i kushtohet periudhës së antikitetit, ndërsa ende nuk kanë filluar të trajtohen objektet e periudhës së mesjetës, që do të instalohen në katin e dytë.
Oborri, që do të ketë pamjen e një parku arkeologjik, thuajse ka përfunduar, ndërsa po projektohet një shteg kalimi prej disa qindra metrash që bashkon Muzeun me vendzbulimin e banesës romake, në themelet e ish-shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti”.
Kjo rrugë këmbësorësh do të shërbejë për vizitat e turistëve në të dy objektet e rëndësishme të qytetit antik.
Punimet restauruese në Muzeun Arkeologjik të Durrësit kanë nisur në vitin 2022. Megjithë vonesat e shkaktuara gjatë realizimit të projektit të financuar nga programi EU4Culture, të cilat do ta vonojnë vënien në funksion të Muzeut Arkeologjik, një lajm i mirë lidhet drejtpërdrejt me një nga zbulimet më të rëndësishme të fillimit të shekullit të kaluar.
Mozaiku i njohur me emrin “Bukuroshja e Durrësit” do të vendoset së shpejti në hyrje të Muzeut Arkeologjik Kombëtar të qytetit 3 mijëvjeçar.
Një urdhër i ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, ka vënë në lëvizje institucionet dhe tashmë mozaiku që kishte zbukuruar hyrjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është përgatitur në disa pjesë për t’u transportuar drejt qytetit antik.
I njëjti ekip specialistësh që e transferoi dhe e instaloi mozaikun e mirënjohur të Durrësit në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981, do ta sjellë atë në Durrës, në qytetin ku u zbulua në vitin 1916 nga arkeologu ushtarak austriak Camillo Praschniker.
“Bukuroshja e Durrësit” është mozaiku më i shquar i zbuluar në vendin tonë. Ai u gjet rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake në Luftën e Parë Botërore për hapjen e një transheje fortifikuese në qendër të Durrësit.
Oficeri austriak Camillo Praschniker, i cili ishte edhe një arkeolog i shquar, u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej. Ai është i pari që botoi fotografinë e mozaikut në një libër të tij arkeologjik për Shqipërinë, duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurativ.
Më pas mozaiku u mbulua përsëri dhe humbi për 33 vjet.
Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi e risolli në dritë në vitin 1959 një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore të antikitetit.
Bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi, ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë, Schober dhe Praschniker, në fillim të shekullit XX, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.
Falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2.300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit, si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Schober dhe Praschniker.
Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit.
Mozaiku u transferua në vitin 1981 në Tiranë për t’u instaluar në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar, ndërsa pas disa javësh do të jetë pjesë e Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Durrësit, qytetit ku u zbulua thuajse 110 vjet më parë.
Reporter.al
Popular
A e dinit që aromat ndikojnë në energjinë tuaj? Ja cilat parfume duhet të përdorni për çdo rast…
Aroma që mban mund të ndryshojë mënyrën si ndihesh, si ecën dhe si të perceptojnë të tjerët.
Një parfum i zgjedhur mirë nuk është thjesht një detaj, por pjesë e stilit tënd të përditshëm, të jep vetëbesim, të përmirëson humorin dhe të qetëson edhe në ditët më të ngarkuara.
Për shumë njerëz, parfumi është një nënshkrim i padukshëm, një mënyrë për të lënë gjurmë pa thënë asnjë fjalë.
Aromat e ngrohta dhe intensive lidhen me forcë dhe vendosmëri, ndërsa ato me nota lulesh apo agrumesh sjellin freski dhe energji pozitive.
Ajo që e bën një aromë vërtet të veçantë është se si bashkohet me personalitetin tënd dhe ritmin e ditës.
Parfumi nuk është vetëm erë e këndshme, por pjesë e identitetit: si prezantohesh, si dëshiron të ndihesh dhe si do të të kujtojnë.
Çdo aromë ka historinë e vet dhe mund të bëhet pjesë e përditshmërisë tënde, sepse parfumi që zgjedh është emocioni që mban me vete gjatë gjithë ditës.
Si ndikon parfumi në humor dhe vetëbesim?
Trupi reagon shpejt ndaj aromave. Një erë e dashur mund të të qetësojë, të të rikthejë një kujtim të bukur ose të të japë më shumë siguri.
Për vetëbesim: aroma me nota druri, qelibar, piper, temjan krijojnë ndjesi force dhe qëndrueshmërie – perfekte për takime pune, prezantime dhe evente formale.
Për energji: agrumet (limon, portokall, bergamot) dhe notat e freskëta japin ndjesinë e fillimit të ri, ideale për mëngjes dhe ditë të lodhshme.
Për qetësi: vanilja, tonka, nota kremoze e të buta japin ndjesi ngrohtësie dhe afërsie, të përshtatshme për mbrëmje ose momente intime.
Si ta zgjedhësh parfumin sipas stilit tënd?
Sipas personalitetit:
Energjik/e dhe spontan/e: aroma me agrume, fruta, nuanca të freskëta deti ose jeshile janë të lehta por shumë dinamike.
I/e qetë dhe e rezervuar: lule të buta (jasemin, trëndafil i lehtë, livando) dhe kombinime me vanilje e nota druri për një profil elegant dhe të butë.
Ekstravert/e dhe i/e guximshme: parfume orientale, të erëzuara, me piper, kanellë janë aroma që nuk kalojnë pa u vënë re.
Është praktike të kesh të paktën 2–3 parfume:
Për përditshmëri: të freskëta, të pastra, jo shumë të rënda.
Për mbrëmje/evente: më të thella, më intensive, me projeksion më të fortë.
Për momente personale: aroma të buta, sensuale, që lidhen me një kujtim ose person.
Pranverë / verë: agrume, lule të lehta, aroma ujore dhe të freskëta.
Vjeshtë / dimër: nota druri, vanilje, qelibar dhe erëza, që qëndrojnë më mirë në temperatura të ulëta.
Llojet kryesore të parfumeve:
Dallimi midis llojeve lidhet me përqendrimin e vajrave aromatikë:
Parfum: më i përqendruar dhe më intensiv, mjaftojnë pak pika dhe zgjat gjatë gjithë ditës.
Eau de parfum (EDP): balancë mes intensitetit dhe përdorimit të përditshëm, zgjat mirë pa qenë shumë i rëndë.
Eau de toilette (EDT): më i lehtë dhe i freskët, ideal për ditë dhe për ata që nuk duan aromë shumë të fortë.
Body mist / spray trupi: shumë i lehtë, për rifreskim disa herë gjatë ditës.
T’i njohësh këto dallime të ndihmon të zgjedhësh aromën që i përshtatet ritmit tënd: nëse do diçka që mban gjatë gjithë ditës apo një aromë të lehtë që mund ta rinovosh sa herë të duash.
-
Albania4 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
Albania6 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK6 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania1 week agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK1 week agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports6 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK5 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
