Kazunori Takishima ka udhëtuar nëpër botë për ta mbështetur Japoninë në çdo edicion të Lojërave Olimpike në 15 vjetët e fundit. Kështu që ishte një ëndërr për Takishiman për të parë ngjarjen në qytetin e tij, në Tokio.
Kur u kumtua vendimi për ndalimin e spektatorëve javën e kaluar për shkak të koronavirusit, ajo ëndërr mori fund. Ai kishte shpenzuar gati 40 mijë dollarë në 197 bileta për të dhe miqtë e tij, për të mbuluar sa më shumë ngjarje të jetë e mundur gjatë LO “Tokio 2020”, që fillojnë më 23 korrik.
“U desh shumë kohë, përpjekje dhe pasion i pabesueshëm”, tha Takishima. “Por unë isha aq i dhënë pas Olimpiadës, saqë edhe pse ishte shumë e vështirë dhe sfiduese, më pëlqente procesi i blerjes së biletave”.
Biznesmeni 45-vjeçar, i specializuar për pasuri të patundshme, nëse do të shikonte të gjitha ngjarjet që i kishte rezervuar, do të kishte thyer rekordin botëror dhe do të zinte vend në librin “Guinness” për më së shumti pjesëmarrje në ngjarjet olimpike. Ai tani do të marrë një rimbursim për biletat që ka blerë.
“Gjithçka që kam tani është trishtimi, sa herë që i shikoj biletat. Nuk po mund të besoj. Thjesht jam shumë i trishtuar. Kam qëndruar zgjuar deri vonë dhe kam filluar të qaj, pasi nuk mund të besoja se nuk po i lejojnë tifozët. Unë inspirohem nga Lojërat Olimpike”.
Dashuria e Takishimas për Lojërat Olimpike filloi në vitin 2005 kur ai pa një garë të patinazhit artistik për herë të parë dhe menjëherë bleu bileta për Lojërat Olimpike “Torino 2006” në Itali. Ai ishte i dhënë pas kësaj ngjarjeje.
Kishte planifikuar t’i shikonte 28 ngjarje sportive përgjatë 17 ditëve. Takishima deri më tani ka përcjellë 106 ngjarje me bileta në Lojërat Olimpike, qofshin ato verore apo dimërore. Dhe synimi i tij ishte të futej në librin e “Guinnessit”. Aktualisht rekordi është 128 ngjarje të shikuara, kurse Takishima në muajin maj kishte negociuar me zyrtarët e “Guinnessit” për ta regjistruar rekordin e tij prej 134 ngjarjeve të shikuara. Ai donte të thyente rekordin.
“Nuk shkova me pritje të mëdha. Por, kur pashë Shizuka Arakawan të fitonte medaljen e artë, kjo më frymëzoi aq shumë sa që prej asaj kohe, kam shkuar në çdo Olimpiadë. Pra, ajo medalje e artë më bëri të lidhem shumë për këtë ngjarje”.
Ai tha se shtytja dhe pasioni i të gjithë sportistëve që marrin pjesë në Lojërat Olimpike e detyron atë të kthehet.
“Kur shoh lotët e tyre të gëzimit kur fitojnë medaljen, ose lotët e tyre të trishtimit nga humbja, kjo më bën t’i dua Lojërat Olimpike dhe të mos mungoj asnjëherë. Unë kam atë lloj guximi dhe emocioni sa herë që shkoj në atë ngjarje”.
Dhe, janë sportistët ata që do të vuajnë këtë herë më shumë nga mungesa e mbështetjes në tribuna. Këtë e pranon edhe Takishima, i cili është i tronditur që nuk do të jetë në gjendje ta përcjellë Olimpiadën që po mbahet në qytetin e tij.
“Është një humbje e madhe kur familja juaj nuk mund të vijë”, tha Takishima. “Kështu që unë shpresoj se të gjithë së paku do të bëjnë tifo për ta para televizorit. Këtë herë do të jetë edhe një përvojë më ndryshe për mua, pasi nuk jam mësuar ta shikoj këtë ngjarje nga shtëpia, sidomos prej vitit 2006”.
Vetëm anëtarët e mediave dhe personalitete të zgjedhura do të lejohen të shikojnë ngjarjet në Lojërat Olimpike të këtij viti, ngjarje kjo që u shty nga vera e vitit 2020 për shkak të pandemisë.
Vendimi nga zyrtarët olimpikë për të ndaluar spektatorët është marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Japonia sapo është futur për herën e katërt në gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa rastet me koronavirus po rriten, me më shumë se njëmijë raste të përditshme të raportuara vetëm në Tokio këtë javë.
Mirëpo, Takishima beson se rreziku është i ulët, veçanërisht kur miliona njerëz në ditë janë duke përdorur metron në Tokio.
“Vendimi për ndalimin e spektatorëve u mor bazuar më shumë në emocione sesa në numra. Unë mendoj se vendet evropiane që lejuan mbajtjen e ndeshjeve të Kampionatit Evropian morën vendimin e duhur. Unë jam me të vërtetë i zhgënjyer nga qeveria dhe komiteti organizues i Lojërave Olimpike të Tokios”, insistoi ai. “Dallimi më i madh midis Britanisë, SHBA-së dhe Japonisë, është se Japonia është e ngadaltë për të marrë vendime politike dhe e paaftë për të marrë rreziqe”.
Pavarësisht nga zhgënjimi i tij, Takishima thotë se përvoja e hidhur në Tokio nuk do të mund t’ia mohojë atij që të jetë një supertifoz olimpik.
“Unë do të vazhdoj të vizitoj dhe të mbështes Lojërat Olimpike deri ditën që do të vdes”, tha Takishima. “Derisa jam akoma në gjendje të lëviz, kam në plan të shoh të gjitha Lojërat nga hapja deri në mbyllje. Unë përfundimisht mund të kap rekordin”.