Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është takuar me kryeministrin britanik, Boris Johnson, në kuadër të vizitës zyrtare që po e zhvillon në vendin e këtij të fundit. Johnson tha pas takimit se raportet mes dy vendeve duhet të njihen si marrëdhënie të pashkatërrueshme.
Ai tha se pati bisedë shumë të mirë me shefin e Shtëpisë së Bardhë, i cili ka shkuar në Britani për të marrë pjesë në samitin e Grupit G7 me liderët botërorë, shkruan BBC.
Kryeministri britanik këmbënguli se presidenti amerikan nuk e ka qortuar për tensionet pas Brexit-it me Irlandën Veriore. Megjithatë, thuhet se Bideni ka shqetësim të thellë në lidhje me këtë situatë.
Samiti i Grupit G7 do të fillojë më vonë të premten. Gjatë takimit të nivelit të lartë, liderët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Japonisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Kanadasë do të takohen fizikisht për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.
Para takimit, shefi i qeverisë britanike u zotua se vendi i tij do të dhurojë mbi 100 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19 për vendet më të varfra vitin e ardhshëm, ndërsa presidenti amerikan ka premtuar 500 milionë doza për 92 shtete me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Shtetet më të zhvilluara të botës pritet që bashkërisht të pajtohen për të ofruar një miliard doza të vaksinës në përpjekje për t’i dhënë fund pandemisë vitin e ardhshëm.