Rusia kishte kërkuar që të pezullohet stërvitja ushtarake “Puhia e Detit 2021”, e cila ka nisur të hënën dhe do të zgjasë për dy javë. Ajo përfshin rreth 5.000 ushtarë të vendeve anëtare të NATO-s dhe aleatëve të tjerë të Aleancës Transatlantike të Sigurisë. Pjesëtarë të flotës detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës marrin po ashtu pjesë, bashkë me 20 anije dhe 40 fluturake, përfshirë shkatërruesin e raketave USS Ross.
Rusia ka raportuar të martën se ka testuar gatishmërinë e sistemeve të saja të mbrojtjes ajrore në Krime, në një demonstrim të qartë force teksa Ukraina dhe vendet e NATO-s kanë mbajtur stërvitje ushtarake në Detin e Zi si pjesë e manovrave të përbashkëta “Puhia e Detit 2021”.
Rusia ka angazhuar rreth 20 aeroplanë luftarakë dhe helikopterë, përfshirë bombarduesit Su-24M, si dhe sistemet raketore tokë-ajër S-400 dhe Pantsir, në testime, ka përcjellë të martën rrjeti “Al-Jazeera” raportimin e agjencisë ruse të lajmeve Interfax, të bazuar në burime të afërta nga flota ruse në Detin e Zi.
Nuk dihet qartë se kur ka ndodhur testimi i pretenduar, ka shkruar “Al-Jazeera”
“Flota e Detit të Zi është duke ndërmarrë një sërë gjërash për monitorimin e veprimit të anijeve të NATO-s dhe të vendeve të tjera që marrin pjesë në ‘Puhinë e Detit 2021’”, ka bërë të ditur Qendra Kombëtare ruse e Menaxhimit të Mbrojtjes.
Rusia ka kërkuar që stërvitjet ushtarake, të cilat janë mbajtur 21 herë që nga 1997-a, të pezullohen ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se do të reagojë po qe se është e nevojshme për ta garantuar sigurinë kombëtare.
“Puhia e Detit 2021”, e cila ka nisur të hënën, do të zgjasë për dy javë dhe përfshin rreth 5.000 ushtarë të vendeve anëtare të NATO-s dhe aleatëve të tjerë të Aleancës Transatlantike të Sigurisë. Pjesëtarë të flotës detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës marrin po ashtu pjesë, bashkë me 20 anije dhe 40 fluturake, përfshirë shkatërruesin e raketave USS Ross.
Komandanti i flotës ukrainase, Oleksiy Neizhpapa, ka thënë gjatë ceremonisë hapëse në qytetin port të Ukrainës, Odessa, se stërvitjet do të përçojnë një “mesazh të fuqishëm për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon”, ka raportuar Al-Jazeera.
Ukraina është një aleate e NATO-s, por jo edhe anëtare e saj.
Stërvitjet dhe testimi rus vijojnë tensionimet në rritje midis Moskës dhe fuqive perëndimore. Gjendja është përkeqësuar edhe më tepër javën e shkuar rreth një incidenti të kontestuar në Detin e Zi midis Rusisë dhe Britanisë së Madhe më 23 qershor.
Moska ka bërë të ditur se ka shkrepur të shtëna paralajmëruese dhe ka hedhur bomba në shtegun e një luftanijeje britanike, për ta larguar atë nga ujërat e Detit të Zi afër Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina më 2014. Moska e konsideron Krimenë për territor rus, por Gadishulli është i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës.
Britania ka mohuar versionin rus për incidentin dhe ka pretenduar se anija e saj ishte në lundrim rutinor në shtigjet ndërkombëtarisht të njohura të udhëtimit dhe ka qëndruar në ujërat e Ukrainës, afër Krimesë.
Pas kësaj, Moska ka paralajmëruar Britaninë dhe SHBA-në anëtare të NATO-s që të mos “e sprovojnë fatin”, duke dërguar luftanije në Detin e Zi, ndërsa ka pretenduar se do t’i mbrojë kufijtë e saj me të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë forcën ushtarake.
Fërkimet e fundit i shtohen listës së gjatë të përplasjeve midis Moskës dhe Perëndimit. Të dyja palët kanë ndasi të theksueshme për një sërë çështjesh, përfshirë situatën në Ukrainë, ku forcat qeveritare kanë luftuar kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindjen e përshkuar nga luftimet qysh nga viti 2014. Lista e përplasjeve pasohet me mospajtimet rreth Bjellorusisë, të të drejtave të njeriut, kontrollimin e armëve, ndërhyrjet në zgjedhje, sulmet kibernetike dhe rolin që luan NATO-ja në çështjet evropiane./Al-Jazeera/