The Sun : Bandat shqiptare përdorin jahte luksoze për kontrabandimin drejt Britanisë për mijëra paund

Share

Një hetim i publikuar nga gazeta britanike The Sun pretendon se disa rrjete kriminale po përdorin jahte luksoze si një mënyrë alternative për kontrabandimin e personave drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shmangur rrugët tradicionale me gomone përmes Kanalit të La Manshit.

Sipas gazetës, hetimi vjen pas raportimeve të mëparshme për emigrantë me precedentë penalë, të cilët, pasi ishin deportuar nga Britania, dyshohet se kishin arritur të riktheheshin ilegalisht në vend.

Gazetarët pretendojnë se kanë kontaktuar përmes një reklame në TikTok persona që ofronin udhëtime me jaht. Një reporter u prezantua si shtetas shqiptar që kishte vuajtur dënim në burgun Wandsworth në Londër dhe më pas ishte deportuar.

Sipas raportimit, pasi personat që organizonin udhëtimin u bindën për identitetin e pretenduar të gazetarit, komunikimi kaloi në WhatsApp. Ata dyshohet se kërkuan një pagesë prej rreth 15,500 paundësh për një vend në një jaht që do të nisej nga Holanda dhe do të mbërrinte pranë Doverit, në Angli.

Një person i kontaktuar nga gazetarët pretendohet se ka thënë se kishte një vend të lirë në jaht atë ditë dhe se bëhej fjalë për një mjet luksoz. Sipas artikullit, pagesa kërkohej vetëm në para fizike.

Gazetarët kërkuan një video-thirrje për të verifikuar personin përpara se të vazhdonin marrëveshjen. Sipas tyre, personi pranoi, por më pas bëri vetëm një shfaqje të shkurtër në kamerë dhe ia kaloi telefonin një tjetër personi, i cili premtoi një udhëtim “të qetë dhe të sigurt”.

Artikulli pretendon se përdorimi i jahteve private mund t’u japë kontrabandistëve një avantazh, pasi këto mjete mund të tërheqin më pak vëmendje sesa gomone të mbushura me njerëz që nisen nga brigjet franceze. Gjithashtu pretendohet se ankorimi në marina të vogla mund të shmangë disa nga kontrollet më të rrepta që kryhen në porte të mëdha.

Autoritetet britanike prej vitesh luftojnë kundër rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve në Kanalin e La Manshit, ndërsa përdorimi i mjeteve të ndryshme detare është një nga sfidat me të cilat përballen shërbimet kufitare.

Lexo më shumë

Lajmet e Fundit