Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar sot dy propozime të ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi: Planin e veprimit dhe kriteret për shpërndarjen e Fondit të rimëkëmbjes, thuhet në njoftimin për media të MKRS-së.
Sipas njoftimit, MKRS pasi e ka analizuar gjendjen e tre sektorëve ka përgatitur metoda konkrete dhe kritere specifike për zbatimin e këtij vendimi për të siguruar ndarje korrekte dhe racionale të mjeteve financiare në përputhje me nevojat në terren.
Ndarja e mjeteve financiare do të bazohet në tri masa specifike në mënyrë që secilit sektor t’i ofrohet mbështetje relevante.
Masa 1 i referohet punës në praktikë për të rinjtë, të cilët do të kenë mundësinë të angazhohen në sektorin publik dhe privat duke u kompensuar me 170 € në muaj.
Masa 2 i referohet mbështetjes direkte financiare për klubet e sportit, që janë të regjistruara në federatat përkatëse sportive.
Masa 3 i referohet mbështetjes financiare për organizatat kulturore, krijuesve të pavarur dhe hulumtuesve të kulturës, rinisë dhe sportit.
Në momentin e parë që do të transferohen mjetet financiare, MKRS do të fillojë zbatimin e këtij plani.
Propozimi i dytë i kësaj Ministrie, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, është që muaji nëntor të quhet Muaji i Anton Çetës dhe të shënohet si i tillë me një varg aktivitetesh, si vijon:
– Përurimi i veprave te Anton Çettës;
– Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq (investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit);
– Këndi i Anton Çettës – Ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;
– Shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;
– Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë;
– Ekspozitë e fotografive në Prishtinë dhe Tiranë (MKRS, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik ne Tiranë);
– Themelimi i Çmimit “Anton Çetta“
Ky propozim miratohet meqenëse viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së prof. Anton Çettës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarëpopullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve.