Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim dhe ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topallit tha se, vendi ka nevojë për një elitë të re politike, ndërsa ka shtuar se ka dënuar dhunën e ushtruar në selinë e Partisë Socialiste në Shkodër dhe dhunën e ushtruar ndaj godinës së Kryeministrisë në 21 janar.
Topalli gjatë një interviste televizive tha se është kundër dhunës ndaj institucioneve në tërësi dhe se kërkon të sjell një elitë të re politike.
“Unë kam qenë kundër dhunës së opozitës, të Edi Ramës ndaj institucioneve të shtetit. Kam qenë kundra kur u nxorën të rinjtë, për vrasjen e atij Klodian Rashës. Jam koherente me veten time. Ato që sulmojnë institucionet, fyejnë Kushtetutën dhe ligjin. Kam qenë kundër atyre që dogjën selinë e PS në Shkodër. Jam kundër atyre që iu turrën kryeministrisë në ngjarjen ku u vra i ndjeri Rasha”,- tha Topalli.
“Një nga arsyet që është krijuar kjo lëvizje është ikja e shqiptarëve. Largimi i të rinjve dhe intelektualëve është një nga problematikat kryesore. Unë s’kam qenë kurrë kryeministre, apo ministre, s’kam qenë presidente, apo kryetare e Bashkisë. S’kam qenë në asnjë pozicion të ekzekutivit. Unë përpiqem të jem e ndershme me veten. Jam krenare për gjithçka ka arritur qeverisja 2005-2013. Unë jam krenare që ne kemi liberalizuar vizat, kemi hyrë në NATO”,- u shpreh Topalli.
Gjithashtu ajo shton se, “nuk them se isha krenare për mënyrat se si u trajtua prona. Ju nuk e dini si ishte biseda ime për çështjet e pronave. Nuk e kam thënë asnjëherë. Ne liberalizuam universitet dhe nuk arritëm të krijonim një mekanizëm kontrolli”.
Duke folur për bashkëpunimin me LSI, Topalli tha se “qeverisja e periudhës së dytë s’ka qenë aq eficiente, ka patur më shumë korrupsion”.
Ajo bëri me dije se ka një marrëveshje me Astrit Patozin për periudhën paszgjedhore, në respekt të Kodit të ri Zgjedhor.
“Unë dhe Patozi kemi një marrëveshje, por formula e re e paraqitjes zgjedhore na bënë të paraqitemi vetëm në këto zgjedhje. Kur ndryshohet Kushtetuta, politika nuk bëhet nga plazhi. Kur ndryshohet Kushtetuta unë nuk pash reagim as në shtator, as në tetor apo nëntor. Basha e Rama kanë qenë në konsensus për të ndryshuar Kushtetutën për Kodin Zgjedhor”,- tha Topalli.