Pesë efektivë të Policisë Metropolitane të Londrës kanë mbetur të lënduar pasi një varkë policie u përplas me urën Westminster, në qendër të kryeqytetit britanik.
Sipas policisë, incidenti ndodhi rreth orës 15:40 sipas orës lokale dhe përfshiu një varkë të Njësisë së Policisë Detare. Në bord ndodheshin edhe efektivë të armatosur.
Policia Metropolitane bëri të ditur se disa nga efektivët ranë në ujë pas përplasjes, por u nxorën nga lumi. Autoritetet janë në pritje të vlerësimit të plotë për shkallën e dëmtimeve të tyre.
Nuk raportohet për persona nga publiku të përfshirë apo të lënduar në aksident.
Efektivët e nxjerrë nga lumi u panë duke marrë ndihmë mjekësore nga paramedikët në një varkë të zezë pranë bregut të lumit.
Zona rreth urës Westminster është rrethuar nga policia, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur një numër i madh forcash policie, zjarrfikësish dhe ambulancash. Ura, e cila kalon mbi lumin Tamiz pranë Parlamentit britanik, u mbyll përkohësisht dhe autobusët e mjetet e transportit u detyruan të ktheheshin pas dhe të përdornin rrugë alternative.


