“Vdekja e Bardhë”, snajperi finlandez që u kthye në tmerrin e ushtarëve rusë

 13,346 total views,  1 views today

Tensionet mes Finlandës dhe Rusisë po vijnë gjithnjë e më shumë drejt rritjes, sidomos pas kërkesës së shtetit nordik për t’u anëtarësuar në NATO. Ditën e sotme, Rusia mori edhe vendimin për t’i ndërprerë furnizimin me gaz Finlandës, pasi kjo e fundit refuzoi të paguante me rubla.

Konfliktet aktuale, të nxitura edhe nga lufta në Ukrainë, kanë risjellë në kujtesë edhe konfliktin e hershëm të armatosur të vitit 1939, kohë kur ushtarët e Ushtrisë së Kuqe u gjendën përballë trupave finlandeze.

Më shumë se 80 vjet më parë, Finlanda e vogël tregoi forcën përballë Bashkimit Sovjetik, kur diktatori Joseph Stalin urdhëroi pushtimin e saj, pasi qeveria finlandeze refuzoi të hiqte dorë nga një territor i konsiderueshëm.

“Lufta e Dimrit” u zhvillua në vitet 1939-1940, nisi më pak se tre muaj pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe tregoi se Finlanda po përdorte taktika novatore për të sfiduar shpresat dhe ambiciet e rusëve për një fitore të shpejtë.

Në atë kohë, Rusia humbi më shumë se 300 000 ushtarë, 3 500 tanke dhe rreth 500 avionë. Finlanda nga ana tjetër humbi vetëm 29 000 mijë trupa.

Një prej ushtarëve që ka ngjallur frikë në zemrat e ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe gjatë asaj kohe, ka qenë edhe Simo Hajhas, i njohur ndryshe si “Vdekja e Bardhë”. I mbështjellë me kostumin e bardhë të dëborës me kapuç, që i dha atij edhe pseudonimin e frikshëm, snajperi finlandez luftoi vetëm 98 ditë, por u kthye në tmerrin e rusëve.

Hajhas, i cili e kishte mësuar zanatin e tij duke gjuajtur kafshë në pyllin ku ishte rritur, strukej në të çara ose gropa që i hapte në pigjet me dëborë. Ai ishte një burrë i shkurtër, gjë që ia bënte edhe më të lehtë fshehjen nga armiku. Snajperi bëri më shumë se 500 vrasje, mesatarisht pesë në ditë duke u kthyer shumë shpejt në një hero kombëtar. Në ditarin e tij ai i quajti “500 mëkatet e tij” dhe pas luftës nuk foli më kurrë për këto vrasje.

“Vdekja e Bardhë” nuk pranoi kurrë të nderohej me statuja apo në ditë përkujtimore, por duket se populli finlandez nuk i ka harruar figurat që mbrojtën tokën dhe kombin përgjatë luftërave.