Midis tensioneve rreth një ligji mbi lokalitetet fetare dhe betejës kundër pandemisë së koronavirusit, Republika e vogël ballkanike e Malit të Zi do të mbajë të dielën votimet, që mund të kenë implikime të konsiderueshme gjeopolitike në rajonin që ndodhet në epiqendër të një beteje ndikimi midis Rusisë dhe Perëndimit.
Në procesin për zgjedhjen e përbërjes së re të Parlamentit, presidenti i kahershëm, Millo Gjukanoviq, dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve, me qëndrime të theksuara pro-perëndimore, do të luftojnë për mbijetesë politike, shkruan Foreign Policy.
Krejt kjo derisa vendi, përveç me pandeminë e koronavirusit, është mbërthyer muajt e fundit edhe nga protestat masive kundër qeverisjes së Gjukanoviqit, pikë së pari shkaku i miratimit të një ligji të kundërshtuar fetar që e nxiti zemërimin e zyrtarëve të Kishës Ortodokse serbe.
Si rrjedhojë, në rrezik gjatë këtyre zgjedhjeve do të jetë qeverisja e kahershme e burrit që e udhëhoqi Malin e Zi përgjatë shpërbërjes së Jugosllavisë federale në vitet ’90, dhe prishjes së unionit shtetëror me Serbinë më 2006. DPS-ja e tij ishte, po ashtu, qenësore në anëtarësimin e vendit në NATO më 2017 dhe ka mbikëqyrur gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme për kualifikimin si anëtare e mundshme e Bashkimit Evropian. Por këto votime e vënë DPS-në karshi një opozite, të drejtuar kryesisht nga aleanca nacionaliste serbe “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, që kërkon marrëdhënie më të afërta me Serbinë dhe Rusinë dhe që e ka përkrahjen e fuqishme të Kishës Ortodokse serbe.
Protestat fetare me ngjyrime nacionaliste
Liderët e opozitës dhe vëzhguesit e demokracisë dhe të drejtave kanë akuzuar prej kohësh Gjukanoviqin, i cili do të përballet me sfidën e rizgjedhjes më 2023, dhe DPS-në e tij për udhëheqjen e Malit të Zi përbrenda një gëzhoje të brendshme mbërthyer nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar.
Ama, çështja më e rëndësishme dhe më e madhe në gjithë fushatën zgjedhore ka qenë ligji i miratuar në fund të vitit të kaluar, i cili i lejoi shtetit që t’i konfiskojë disa prej aseteve fetare po qe se pronësia e tyre historike nuk mund të dëshmohet.
Ligji ende duhet të hyjë në fuqi, si rrjedhojë e vonesave të shkaktuara kryesisht nga protestat e prira nga Kisha Ortodokse serbe dhe partitë e mbështetura nga Serbia.