Një hetim i thelluar nga BBC ka zbuluar se Jeffrey Epstein vazhdoi aktivitetet e tij të dyshuara të trafikimit seksual në Mbretërinë e Bashkuar për vite me radhë, edhe pasi policia vendosi në 2015 të mos hapte hetim ndaj akuzave.
Dokumente të shumta, përfshirë emaile, fatura dhe të dhëna bankare nga hetimi i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, tregojnë se Epstein kishte marrë me qira të paktën katër apartamente luksoze në zonën Kensington dhe Chelsea në Londër. Në këto prona ai strehoi gra të reja, gjashtë prej të cilave më vonë janë identifikuar si viktima të abuzimit seksual nga ana e tij.
Sipas BBC, shumë prej këtyre grave, kryesisht nga Rusia dhe Evropa Lindore, u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar pas vendimit të policisë për të mos ndjekur pretendimin e Virginia Giuffre se ajo ishte trafikuar dhe abuzuar në Londër. Përveç kësaj, BBC zbuloi se një grua e dytë kishte bërë ankesë për abuzim në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020, por nuk dihet nëse kjo u hetua ndonjëherë.
Hetimi tregon se disa nga gratë që jetonin në këto apartamente detyroheshin të rekrutonin të tjera për rrjetin e Epstein. Në disa raste, ato i dërgonin atij fotografi të grave të reja për “vlerësim”. Po ashtu, Epstein kontrollonte nga afër jetën e tyre, duke u dhënë para për shpenzime, studime dhe qira, shpesh me kushte që i detyronin të punonin për të.
Kushtet e jetesës në apartamente nuk ishin gjithmonë të mira, pavarësisht vendndodhjes së tyre luksoze. Gratë shpesh jetonin në ambiente të mbipopulluara dhe në disa raste flinin në divane. Kur ankoheshin, Epstein reagonte me zemërim dhe ofendime.
Një element kyç i operacionit ishte transporti i vazhdueshëm i grave midis vendeve. Epstein përdori shpesh linjën hekurudhore Eurostar për të lëvizur gra midis Londrës dhe Parisit. Nga viti 2011 deri në 2019 ai bleu të paktën 53 bileta, me një rritje të ndjeshme pas vitit 2015. Vetëm në gjashtë muajt e fundit të jetës së tij, ai organizoi 10 udhëtime të tilla, duke dërguar gra në Londër deri pak ditë para arrestimit të tij.
Përveç udhëtimeve me tren, hetimi identifikoi mbi 120 fluturime të lidhura me Epstein drejt dhe nga Mbretëria e Bashkuar, duke treguar një rrjet të gjerë ndërkombëtar.
Kush punoi për të dhe a kishin dijeni autoritetet britanike
BBC raporton se disa persona në Mbretërinë e Bashkuar që kanë punuar ose kanë qenë të lidhur me Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxëell janë identifikuar në dokumente hetimore. Midis tyre përmendet një shofer që besohet se ka shërbyer për Epstein dhe Maxëell, një ish-asistente e Maxëell, si dhe një anëtare e stafit të familjes së Epstein që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte kontakte të vazhdueshme me të, përfshirë edhe komunikime me email vite më vonë.
Në raport thuhet gjithashtu se autoritetet britanike, përfshirë Policinë Metropolitane dhe Agjencinë Kombëtare të Krimit, kanë qenë në dijeni të disa aktiviteteve të Epstein në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë shkëmbyer informacion me FBI-në.
Megjithatë, Policia Met thotë se nuk janë ngritur akuza kundër individëve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Disa hetime dhe vlerësime për përdorimin e aeroporteve londineze dhe lëvizjet e mundshme të lidhura me trafikim njerëzor janë ende në proces, ndërsa viktima dhe përfaqësues ligjorë po kërkojnë një hetim publik më të thelluar për mënyrën si janë trajtuar këto çështje.

