Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë mbetur të papërfaqësuar në Kuvendin e Serbisë.
Kjo pasi asnjëra nga dy listat zgjedhore të shqiptarëve nuk kanë arritur ta kalojnë pragun në zgjedhjet nacionale serbe të 3 prillit.
Ndarja e spektrit politik ka zhgënjyer në masë të madhe votuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Përfaqësuesit e dy listave zgjedhore që kanë garuar në këto zgjedhje e kanë pranuar se përçarja e spektrit politik ka ndikuar në daljen e ulët të shqiptarëve në këto zgjedhje.
Udhëheqësi i koalicionit Alternativa për Ndryshim, Shqiprim Arifi, ka fajësuar liderin e Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberin, për dështimin e shqiptarëve të Luginës në zgjedhjet e 3 prillit.
Sipas tij, fajtori kryesor për mosunifikimin e shqiptarëve në një listë të përbashkët është Shaip Kamberi.
“Mosmarrja e mandatit ndërlidhet ngushtë me situatën se si janë krijuar dy lista. Në vitin 2020 marrëveshja e Tiranës ka qenë bazë për arritjen e marrëveshjes për të unifikuar partitë politike shqiptare. Kësaj radhe, ish-deputeti Kamberi ka vendosur që të mos e marrë për bazë marrëveshjen e Tiranës, por egon e tij, dhe të garojë me një listë të veten. Kjo ka shkaktuar tek qytetarët tanë një dëshpërim të madh dhe një letargji politike, se pse ka ndodhur përçarja nga ana e Kamberit”, ka thënë Arifi për gazetën Nacionale.
Ai ka treguar se shqiptarët dëshpërimin e kanë shprehur përmes bojkotit të zgjedhjeve nacionale.
“Kështu qytetarët në përgjithësi, në komunën e Preshevës dhe Bujanovcit, i kanë bojkotuar zgjedhjet. Kjo shihet qartë në shifrat ku ne e kemi gjysmën e votave të vitit 2020 në këtë vit. Ky dëshpërim i qytetarëve është bërë i qartë nëpërmjet bojkotimit të votës, e cila ka qenë rezultat i kësaj egos së ish-deputetit Kamberi dhe ai e mban përgjegjësinë për këtë”, ka thënë Arifi.
Ndikim ka pasur edhe pasivizimi i adresave
Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës kanë treguar për gazetën Nacionale se ndikim në rezultatin e zgjedhjeve ka pasur edhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve nga pushteti serb.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë për gazetën se ky proces ka ndryshuar strukturën e popullsisë.
“Në listën unike zgjedhore në Luginën e Preshevës janë të regjistruar mbi 60 mijë votues shqiptarë, ndërkaq dalja ka qenë 15%. Sigurisht ne mosdaje ka ndikuar pasivizimi i adresave që ka ndryshuar përbërjen e strukturës etnike të popullsisë, por migracioni në perëndim dhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë është shumëfish më i madh i të cilëve nuk kanë shprehë interesim për këto zgjedhje. Gjithashtu edhe hapësira e dhënë në disa media të Kosovës disa ‘infatiave politikë’ që vazhdimisht kanë agjendë të pakuptueshme duke akuzuar e fajësuar shqiptarët dhe partitë e tyre”, ka thënë Mustafi.
Këtë fakt e ka përmendur edhe ish-deputeti Shaip Kamberi.
“Procesi i pasivizimit të adresave që selektivisht po zbatohet ndaj shqiptarëve, po i jep rezultatet e veta. Migrimi i cili vjen si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm e që ka sjellë largimin e një numri të madh të njerëzve, sidomos të të rinjve, janë dy faktorët kyç që ndikuan në numrin më të vogël të të dalurve në këto zgjedhje. Kësaj duhet shtuar edhe numrin e madh të zgjedhësve në nivel të Serbisë, që me automatizëm e rrit numrin e domosdoshëm për “pragun natyror” që ndikon për një mandat deputeti”, ka thënë Kamberi.
Kërkohet përsëritja e zgjedhjeve në Luginë
Për të siguruar shqiptarët e Luginës se Preshevës një deputet në Parlamentin e Serbisë nga këto zgjedhje, janë dashur edhe 300 vota.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka treguar votat që listat e partive politike shqiptare kanë marrë në zgjedhjet nacionale të Serbisë.
Ai ka treguar se Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës (KSHL) në total ka marrë 9643 vota, kurse Alternativa Demokratike Shqiptare (ADSh) ka marrë 3259 vota.
“ADSH në Preshevë ka marrë 1920, në Bujanoc 334, në Medvegjë 0 dhe gjetiu në Serbi 1005. Në total 3259 vota. KLSH në Preshevë ka marrë 2443, në Bujanoc 6001, në Medvegjë 311, si dhe gjetiu në Serbi 888. Në total 9643 vota. Pra, Koncepti i prijësit të ADSh-së, Shqiprim Arifit, në Luginë është mbështetur me 2254 vota. Kurse, Koncepti i prijësit të KLSH-së, Shaip Kamberit, në Luginë është mbështetur me 8753 vota”, ka thënë Mustafi për Nacionalen.
I pakënaqur me rezultatin është shprehur edhe udhëheqësi i Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës (KSHL), Shaip Kamberi, i cili është më se afërmi të bëhet deputet.
Ai ka kërkuar që procesi i votimin në Luginë të Preshevës të përsëritet.
“Zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë. Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës. Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar. Kjo e bën procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira. Prandaj zgjedhjet duhet të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij në Facebook.
Në zgjedhjet e 3 prillit, Lista Alternativa Demokratike Shqiptare (ADSh) është përbërë nga Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit, Lëvizja për Reforma e Sami Salihut dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Naser Hazirit.
Ndërsa, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës (KSHL) është përbërë nga Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit, Partia Demokratike e Nagip Arifit dhe Lëvizja e Progresit Demokratik të Shqiprim Musliut. Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës kishte bojkotuar këto zgjedhje.
Në zgjedhjet e vitit 2020, kur subjektet politike shqiptare ishin bashkuar në një listë zgjedhore, kishin fituar tri mandate.