Nëse nuk ka trup, nuk ka viktimë, por policia dyshon se 34-vjeçari i rrëmbyer para pak ditësh Eglant Koçi mund të jetë eliminuar fizikisht. Për ngjarjen është arrestuar Enea Zyferi për përkrahje të autorit, ndërsa Armand Shakaj është në kërkim si i dyshuar për mbajtjen peng të të riut. Pista kryesore e hetimit është ajo e aktivitetit në kriptomonedha dhe call center-a.
U raportua i zhdukur të enjten e 4 qershorit, por Eglant Koçi nuk u gjet. Pasi analizoi disa pamje filmike, policia e cilësoi ngjarjen kriminale. Ajo dyshon se 34-vjeçari është rrëmbyer dhe më pas eliminuar fizikisht. Armand Shakaj, 41 vjeç dyshohet se ka mbajtur peng Eglant Koçin. Por policia nuk ka gjetur as trupin e të rrëmbyerit dhe as autorin e dyshuar, i cili një ditë pas denoncimit është marrë në pyetje nga komisariati nr.2 si personi i fundit që kishte folur në telefon me Eglant Koçin. Por pasi është pyetur nga policia Shakaj është larguar.
Sipas burimeve policore 34-vjeçari Eglant Koçi ishte i punësuar te një grup që dyshohej se merrej me kriptomonedha dhe call center-a. Ky fakt po hetohet si pistë kryesore nga policia për motivet e krimit. Koçi dyshohet se në portolin e tij elektronik të kriptomonedhave për llogari të një personi tjetër kishte rreth 700 mijë euro, ndërsa transaksioni i fundit që ishte kryer ka qenë 160 mijë euro.


