Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka mbetur tejet i zhgënjyer me barazimin e skuadrës së tij kundër Cadiz, pasi katalonasit nuk e shfrytëzuan humbjen e liderit të La Ligës, Atletico Madrid, për t’iu afruar kreut të tabelës.
Barcelona e priti Cadizin në Camp Nou të dielën, e vetëdijshme se me një fitore të mundshme do ta zvogëlonte në vetëm gjashtë pikë epërsinë me liderin pas humbjes së Atleticos kundër Levantes një ditë më parë.
Por skuadra e Koeman dështoi ta ruante deri në fund epërsinë e krijuar nga Leo Messi nga penalltia, duke pranuar gol në çastet e fundit nga pika e bardhë, pas penalltisë së shkaktuar nga Clement Lenglet.
Ky barazim nënkupton se Barça ngel tetë pikë prapa Atleticos tani.
Koeman thotë se dështimi i së dielës e ka dëshpëruar më shumë sesa humbja kundër PSG-së 4:1 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
“Është zhgënjyese, sepse ndeshje të tilla duhet të fitohen dhe nuk e bëmë një gjë të tillë sot”, tha Koeman.
E humbëm një mundësi të madhe pas disfatës së Atletico Madridit. Është zhgënjim i madh. Jam shumë i zhgënjyer, më shumë sesa të martën e kaluar (kur Barça u mund nga PSG-ja)”, shtoi ai.