Politico: Aventura shqiptare e Eric Adams për një pasaportë shqiptare

albnews
By
8 Min Read

Një njësi e vogël administrative në kryeqytetin e Shqipërisë ka mirëpritur banorin e saj më të ri: ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Eric Adams, i cili tashmë është bërë edhe qytetar me të drejta të plota. Por një pyetje thelbësore mbetet: pse?

Adams bëri bujë ndërkombëtare kur mori shtetësinë shqiptare, por tani ka shkuar një hap më tej, duke u regjistruar zyrtarisht si banor në lagjen e tij të re dhe duke dhënë shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë e identifikimit për kartën e re të identitetit dhe pasaportën shqiptare.

Florian Pullazi, drejtuesi i Njësisë Administrative nr. 2, ku Adams tashmë rezulton banor zyrtar, nuk konfirmoi për POLITICO nëse ai do të jetojë realisht në Tiranë apo cilat janë motivet për marrjen e shtetësisë dhe pasaportës. Megjithatë, ai tha se marrja e shtetësisë nga Adams pasqyron “lidhjet e gjata dhe të thella midis qytetit të Nju Jorkut dhe komunitetit shqiptar në SHBA”. Në një postim në rrjetet sociale, Pullazi e përshkroi ish-kryebashkiakun si një “mik të madh të shqiptarëve”, një “politikan i njohur për fokusin në çështjet publike” dhe një “ish-kapiten i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut”.

Pasaporta shqiptare, e renditur në vendin e 43 globalisht në vitin 2025 nga Indeksi i Pasaportave Henley, i jep mbajtësit akses pa vizë ose me vizë në mbërritje në 123 vende. Edhe pse Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, pasaporta e saj lejon hyrje në zonën e lëvizjes së lirë Schengen deri në 90 ditë. Sa i përket përfitimeve brenda vendit, Adams do të mund të jetojë dhe punojë në Shqipëri, të votojë, të blejë tokë bujqësore, të përdorë shërbimet shëndetësore dhe madje të kandidojë në zgjedhjet vendore apo kombëtare.

Në fakt, në nivel lokal ka pasur spekulime se Adams mund të jetë në prag të kandidimit për kryetar bashkie të Tiranës, pasi kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj, ndodhet në burg prej më shumë se një viti, përballë akuzave për korrupsion dhe shkelje financiare.

Por një person i afërt me Adams, që foli në kushte anonimiteti, tha se kjo nuk është e vërtetë. Sipas tij, nuk ka pasur asnjë diskutim për kandidimin e Adams në Shqipëri dhe se ai po e merr shtetësinë për arsye biznesi në nivel lokal.

“Mendoj se ai ka opsione më të mira, le ta themi kështu,” u shpreh ky person, duke iu referuar postit të kryebashkiakut të Tiranës.

Alisa Roever, një ish-modele dhe mike e Adams që drejton një organizatë bamirësie me vëllain e tij, u shpreh se është e pamundur që ai të kandidojë për një post publik në Shqipëri. “Krejtësisht jashtë diskutimit,” tha Roever. Edhe disa persona të tjerë thanë se besojnë që ky hap lidhet me interesa biznesi dhe me “marrëdhëniet e shkëlqyera” që Adams ka në vend.

Adams nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga POLITICO.

Adams në Shqipëri

Adams e la detyrën në fund të vitit 2025, pas një mandati të vetëm të shoqëruar me skandale korrupsioni, disa prej të cilave lidhen me angazhime jashtë vendit.

Aktakuza e shtatorit 2024 ndaj ish-kryebashkiakut e akuzonte atë se kishte kryer favore politike për operativë të qeverisë turke në këmbim të ryshfeteve, si bileta avioni me çmime shumë të ulëta dhe qëndrime falas në hotele luksoze. Kjo aktakuzë u rrëzua vitin e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i ish-presidentit Donald Trump, si pjesë e një marrëveshjeje që gjykatësi përgjegjës e përshkroi si diçka që “të jep përshtypjen e një pazari” mes Trump dhe ish-kryebashkiakut.

Adams e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në tetor 2025, kur ishte ende në detyrë dhe po përballej me pasojat politike të skandalit të korrupsionit.

Në atë kohë, vizita e tij e shpejtë ngriti pikëpyetje, veçanërisht kur u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili vetë përballet me akuza për korrupsion nga opozita vendase. Gjatë vizitës, të dy diskutuan zhvillimin e turizmit dhe biznesit mes dy vendeve, si dhe krijimin e një fluturimi direkt me Nju Jorkun. Ish-kryebashkiaku foli me tone pozitive për Tiranën, duke e quajtur atë një “komunitet në zhvillim dhe një qytet që po ecën në drejtimin e duhur”.

“Doja të vija këtu dhe të mësoja më shumë për teknologjinë, për mënyrën se si ky kryeministër ka arritur të drejtojë transformimin e këtij vendi dhe qyteti,” tha ai.

Ndërsa fluturimi direkt mes dy qyteteve ende nuk është realizuar, Adams duket se e ka çuar mbështetjen e tij për Shqipërinë në një nivel tjetër.

Krenar që është shqiptar

Më 10 prill, u njoftua se një dekret i posaçëm i Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, i kishte dhënë Adams shtetësinë shqiptare. Zakonisht, shtetësia shqiptare jepet përmes lidhjeve familjare ose pas një qëndrimi të gjatë në vend, duke përfshirë edhe kalimin e një testi për gjuhën dhe historinë. Por në raste të veçanta, ajo mund të jepet me procedurë të përshpejtuar për kontribute të rëndësishme në fusha si shkenca, ekonomia, ose, si në rastin e këngëtares me famë botërore me origjinë kosovare, Dua Lipa në vitin 2022, kultura.

POLITICO nuk arriti të konfirmojë kushtet mbi të cilat Adams mori shtetësinë me dekret të posaçëm dhe çfarë kontributesh ka dhënë apo pritet të japë ai për vendin.

Sa i përket lagjes së tij të re, Njësia Administrative nr. 2 karakterizohet nga pallate pesëkatëshe të periudhës komuniste, një treg fermerësh, një shkollë baleti dhe një treg rrobash të përdorura. Ndër banorët e njohur përmenden disa ish-kryeministra dhe presidentë, sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula dhe tashmë edhe Adams.

Vetëm disa orë pasi dha të dhënat biometrike në zyrën vendore, Adams u shfaq në Samitin e Diasporës në Tiranë, me një grafikë të madhe të flamurit shqiptar pas tij dhe me një plis të bardhë në kokë. Aty, mes duartrokitjeve, ai mori pasaportën shqiptare nga kryeministri Edi Rama.

“Shqiptarët do të thoshin se e dinin që kjo do të ndodhte, por në fakt askush nuk e priste ta shihte realisht, që ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut të bëhej qytetar i Tiranës dhe i Shqipërisë,” tha Rama para të pranishmëve.

Adams e pranoi pasaportën dhe shtoi: “E dua të qenit amerikan, por sot, falë kryeministrit tuaj, jam shqiptar.”/ Përkthyer nga Politico.eu

Share This Article