Përplasja e fortë në Mal të Zi po afron një krizë qeveritare. Në kohën kur NATO dhe Perëndimi po akuzon qeverinë serbe se në vend të antikorrupsionit, po ja kthen vendin influencës ruse, ka ardhur një zhvillim shumë i fortë.
Deputetët e Partisë së Dritan Abazoviçit, “E Bardha në të Zezë”, koalicioni Ura i kanë dërguar një kërkesë parlamentit të Malit të Zi, ku bën të ditur se ky grup parlamentar nuk është i gatshëm të votojë ligjin për pronat e Kishës Ortodokse Serbe. Qëndrim që pritet të sjellë përplasje të mëdha në koalicion.
Siç bën të ditur ‘Antena M’, një media malazeze që kundërshton qeverinë proserbe, në dokument thuhet se ligji “Për Fetë” të mos kthehet në një mollë sherri që rrezikon të ardhmen evropiane të Malit të Zi.
Qëndrim që realisht vë në dyshim mazhorancën aktuale qeverisëse që drejtohet nga kryeministri Zdravko Krivokapiç. Qëndrim që mbahet në kulmin e fushatës elektorale për bashkinë e Nikshiqit, që është kthyer një një lloj “Beteje”.
Siç bën të ditur ‘Antena M’, katër deputetët e URA, theksojnë se duhet një rishikim i ligjit themeltar të shtetit që involvon edhe opozitën e Milo Gjukanoviçit.
Dy ditë më parë, një organizatë nacionaliste malazeze “Komitët” i kanë kërkuar Abazoviçit që në lidhje me fushatën e Nikshiqit të mos marrë krahun e serbëve por të mbrojë shtetësinë e Malit të Zi.
“Në muajin e katërt që ju jeni në pushtet në nivelin shtetëror dhe keni treguar se nuk keni asnjë program, vetëm urrejtje dhe arritjen e qëllimeve kundër Malit të Zi! Stafi i Serbisë së Madhe është në krye të arsimit, shkencës, kulturës, sigurisë, Universitetit, sporteve dhe së shpejti në Shërbimin Sekret! Fakulteti i Gjuhës Malazeze nuk ka të ardhura dhe tarifat për krijuesit e shquar malazezë! Çfarë keni kursyer në Mal të Zi, o URA?”, paralajmërojnë Abazoviçin nacionalistët malazezë.
Sot, analisti i njohur, Janush Bugajski, në një analizë që u botua në disa gazeta të Ballkanit, shkruante se tashmë NATO ka ndaluar së ofruari informacione sekrete agjencive të zbulimit të Malit të Zi, që janë të mbushura me njerëz të Moskës.
Njëri prej tyre, Milan Knezeviç, siç bën të ditur ‘Sputnik’, ka paralajmëruar një përplasje të madhe civile në vend.
Knezeviç, i cili drejton Komisionin Parlamentar për Sigurinë Publike, tha se Mali i Zi kërkon marrëdhënie të afërta me Republika Srbskan.
Situata është vërtetë e tensionuar, edhe për faktin se skifterët e koalicionit të ri, më shumë se agjenda antiestablishment, i intereson zgjerimi i influencës serbe në Mal të Zi.
Në kuadër të Stërvitjes së NATO-s në Shqipëri më 26 prill, mësohet se dy luftanije do të ankorohen edhe në portin e Tivatit, për të siguruar mbrojtje më të madhe të një kërcënimi të sigurisë së Rajonit.
Raketat ‘Patriot’ që do të ankorohen në Akademinë “Skënderbej” në Tiranë, mësohet se do të mbulojnë edhe rrezen që i takon Malit të Zi, siç bën të ditur gazeta më e madhe e Podgoricës ‘Vijesti’.