Pas Groenlandës, për të cilën ka kërcënuar se do ta shkëpuste nga Danimarka, nëse është e nevojshme edhe me forcë, Donald Trump tani ka vënë në shënjestër edhe Ishujt Falkland, për t’ia marrë Mbretërisë së Bashkuar dhe për t’ia dhënë Argjentinës.
Për momentin, kjo duket vetëm si një provokim, një “opsion” që mund të vendoset në tryezën e presidentit amerikan për të ndëshkuar aleatët e NATO-s, të cilët sipas tij nuk kanë hyrë në luftë në Iran përkrah Shteteve të Bashkuara. Por lajmi se Pentagoni po “rishqyrton” çështjen e sovranitetit të ishujve në Atlantikun jugor, për të cilët Mbretëria e Bashkuar ka luftuar në vitin 1982 kundër Argjentinës, e cila i kishte pushtuar, ka shkaktuar reagime të menjëhershme dhe të forta zemërimi në Londër.
“Qëndrimi për sovranitetin e Falklandeve i përket Mbretërisë së Bashkuar dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë”, deklaroi prerë një zëdhënës i Downing Street, duke kujtuar se banorët e arkipelagut votuan me shumicë dërrmuese në një referendum të vitit 2013 për të mbetur territor britanik përtej detit (vetëm 3 nga 1 672 votues ishin kundër).
I njëjti qëndrim u theksua edhe nga autoritetet lokale të ishujve, të cilat në një deklaratë shprehën “besim të plotë në angazhimin e qeverisë britanike për të ruajtur dhe mbrojtur të drejtën tonë të vetëvendosjes”, pra për të mbetur pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.
Në Londër, për këtë çështje ka një konsensus të gjerë. Kemi Badenoch, udhëheqëse e opozitës konservatore, tha:
Qëndrimi i shprehur nga Washingtoni është plotësisht i pakuptimtë. Ne mbështesim Falklandet dhe ato do të mbeten territor britanik!
Edhe Nigel Farage, lider i Reform UK, një parti populiste përgjithësisht pro-Trump, këtë herë nuk pajtohet:
Çështja është plotësisht e panegociueshme. Nuk mund të hapet as debat mbi sovranitetin e Falklandeve.
Ai shtoi se do t’ia bëjë të qartë këtë edhe presidentit argjentinas Javier Milei kur ta takojë në muajt e ardhshëm.
Ndërsa Ed Davey, udhëheqës i liberal-demokratëve, komentoi se ky “kërcënim i ri amerikan ndaj Londrës” jep arsye shtesë për të anuluar vizitën e mbretit Charles në SHBA të hënën:
“Presidenti Trump vazhdon ta fyejë vendin tonë”, tha ai.
Në përgjithësi, reagimi britanik ishte më pak diplomatik se ai spanjoll, edhe Spanja u përmend në emailin e Pentagonit të zbuluar nga Reuters, ku flitej për një “rishikim” të sovranitetit të Falklandeve. Sipas atij dokumenti, Washingtoni mund të shqyrtonte edhe mundësinë e përjashtimit të Madridit nga NATO, si hakmarrje për mosmbështetjen në luftën në Iran.
Një zëdhënës i kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez tha:
Ne nuk i bazojmë marrëdhëniet tona në email-e, por në dokumente dhe qëndrime zyrtare të qeverive, në këtë rast të qeverisë amerikane.
Më vonë, një burim i NATO-s kujtoi se aleanca “nuk parashikon pezullimin apo përjashtimin” e vendeve anëtare.
Ishujt Falkland janë bërë koloni britanike në vitin 1833. Argjentina i ka pretenduar gjithmonë si të vetat, duke argumentuar se i ka trashëguar nga kurora spanjolle dhe duke theksuar afërsinë e tyre me Amerikën e Jugut. Në vitin 1982, pasi gjenerali Leopoldo Galtieri, në krye të diktaturës ushtarake argjentinase, i pushtoi ishujt me një sulm të befasishëm, kryeministrja britanike Margaret Thatcher dërgoi një flotë detare për t’i rimarrë. Pasoi një luftë 2-mujore e gjysmë, e fituar nga Mbretëria e Bashkuar, ku humbën jetën 649 ushtarë argjentinas dhe 255 britanikë.
Në vitin 2024, presidenti argjentinas Javier Milei, i konsideruar si një dishepull politik i Trump, deklaroi se dëshiron të përgatisë një “plan veprimi” për rikthimin e Falklandeve, por vetëm përmes mjeteve diplomatike. Ai nuk duket i prirur për një luftë të re kundër Londrës, pavarësisht “opsioneve” që thuhet se po shqyrton Pentagoni në lidhje me Trump.

