Së paku pesë persona, përfshirë katër fëmijë, kanë mbetur të vdekur në një aksident të tmerrshëm trafiku me dy vetura në Florida të ShBA-së natën e së enjtes, njoftuan autoritetet.
Dy persona të rritur u dërguan në spital pas aksidentit që ndodhi në rajonin e Orlandos. Një veturë u këput në dy pjesë nga fuqia e goditjes, shkruan Fox News.
“Siç mund të imagjinoni, një skenë shumë e tmerrshme për të gjithë që janë përfshirë. Ende jemi duke u përpjekur t’i identifikojmë viktimat dhe të shohim se çfarë lidhje kanë pasur mes vete, por besojmë se është e tërë familja”, tha zëdhënësja e njësisë policore për autostrada, Kim Montes.
Një veturë e tipit Hyundai me gjashtë pasagjerë ishte duke lëvizur në rrugën “Clarcona Ocoee”. Duket se vetura bëri përpjekje të kthehej majtas, kur u godit nga një veturë tjetër e tipit SUV.
Sipas autoriteteve, disa persona që ndodheshin në veturën e goditur janë nxjerrë jashtë nga fuqia e përplasjes. Policia tha se vetura e aksidentuar kishte vetëm 5 ulëse, ndonëse në të ndodheshin 6 persona.
Vozitësit e dy veturave i mbijetuan aksidentit të rëndë. Autoritetet thanë se vozitësi i veturës që është goditur ka pësuar lëndime serioze, ndërsa tjetri duket se është në gjendje më stabile.
Ndonëse identiteti dhe mosha e saktë e viktimave nuk janë bërë të ditura, hetuesit besojnë se tre fëmijë që vdiqën në aksident kanë qenë nën moshën 10-vjeçare.