Në ditën e Sulltan Nevruzit, Presidenti Ilir Meta vizitoi sot Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u prit nga Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kreu i shtetit ndau me besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, urimet më të ngrohta për Festën e Sulltan Nevruzit, që shënon ditëlindjen e Imam Aliut.
“Në këtë ditë të rigjallërimit të natyrës dhe lindjes së shpresës, kur dita i merr natës dhe drita, errësirës, jam i bindur se pas një dimri të gjatë dhe të vështirë, Dielli po lind dhe do të lindë patjetër në zemrën e çdo shqiptari. Sepse Pranvera dhe Demokracia janë në sintoni të plotë me njëra-tjetrën”, tha Presidenti.
Në një prononcim për mediet nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Meta tha se “sot bashkohemi me lutjet e Kryegjyshit Botëror për shëndetin e çdo qytetari të vendit tonë”.
“Apeloj për të bërë kujdes sa më shumë dhe të jemi më optimistë për të ardhmen, më solidarë, më bashkëpunues, më tolerantë dhe më të dashur me njëri-tjetrin e mbi të gjitha të mbizotërojë dashuria për atdheun. Pranvera do të jetë e pandalshme dhe na ndihmon të gjithëve të jemi më optimist dhe të kemi më shumë besim te e ardhmja. Besoj se shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë dhe e kanë kuptuar se fuqia e ndryshimit janë vetë ata”, tha Meta.
I pyetur mbi ardhjen e vaksinës ruse “Sputnik”, Meta tha se, “apeloj për të forcuar masat, për të rritur shëndetin dhe për të garantuar sigurinë shëndetësore për të gjithë qytetarët, pa asnjë lloj diskriminimi, por vetëm mbi kritere shëndetësore”.
Basha: Qoftë kjo ditë një ogur i mbarë për fitoren e shpresës mbi dëshpërimin
Edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha, vizitoi Kryegjyshatën Botërore të Beltashinjëve ku uroi Sulltan Novruzin.
Në takim me Baba Mondin, Basha uroi Sulltan Nevruzin. ““Shëndet, jetë dhe dritë për ty dhe të gjithë klerikët bektashinj, për të gjithë besimtarët bektashinj kudo që janë. Qoftë kjo ditë një ogur i mbarë për fitoren e shpresës mbi dëshpërimin ashtu siç është simboli i fitores së pranverës mbi dimrin dhe për largimin e të keqes nga shpirti i çdo shqiptari për triumfin e të mirës, e ndryshimit pozitiv për të gjithë”, shprehet Basha.
Nga ana e tij, kryeqjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi e falënderoi për vizitën.
“Kjo është vërtetë një ditë e bekuar nga Zoti, kuptohet edhe nga shenjtorët që vijnë. Dhe është shembull që ta udhëheqë njerëzimin në rrugën e vërtetë dhe prandaj ne i respektojmë këta njerëz, duke sakrifikuar me familje me gjithçka për të udhëhequr njerëzit në rrugën e vërtetë. Zoti ju bekoftë”, tha ai./ATSH/