“Paketa e Maleve”/ Rama: Po hap një rrugë të re në zhvillimin rural dhe po krijon…

albnews
By
4 Min Read

Kryeministri Edi Rama, gjatë podkastit “Flasim”, u ndal edhe te “Paketa e Maleve”. Kryeministri u shpreh se “Paketa e Maleve” ka ngjallur interes të madh dhe sipas tij, po tërheq vëmendjen e diasporës, e cila po e sheh Shqipërinë jo vetëm si vendlindje, por edhe si mundësi konkrete për të investuar kursimet e tyre.

Rama gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të interesuar të përfitojnë nga kjo nismë, duke shtuar se investimi në zonat malore mund të sjellë të ardhura më të larta sesa puna jashtë vendit.

“Shënimi tjetër lidhet jo me një ngjarje, por me një program, një program kombëtar i cili ka filluar tanimë të formësohet përmes një numri mbresëlënës interesimesh dhe aplikimesh, në radhë të parë nga vëllezërit dhe motrat tona jashtë Shqipërisë, që falë këtij programi po e kthejnë kokën nga Shqipëria, jo thjesht për t’u interesuar siç kanë bërë gjithmonë për ecurinë e punëve apo për ecurinë e jetës në familjet e tyre, por për të investuar kursimet e tyre.

Paketa e maleve! Paketa e maleve po hap një rrugë të re në zhvillimin rural dhe po krijon premisat për një vlerë të shtuar, për një motor të ri në industrinë e turizmit tonë, duke i dhënë maleve, duke i dhënë Shqipërisë malore një përmasë të re, përmes kthimit të tokës dhe të shtëpive të gjyshërve në instrumente të zhvillimit dhe në mundësi të reja reale për të krijuar sipërmarrje dhe për të krijuar të ardhura, pa diskutim, më të larta sesa ato që mund të krijohen duke punuar për të tjerët jashtë vendit. Procesi është bërë i thjeshtë, është bërë i aksesueshëm. Investimi mund të nisë pa titullin përfundimtar të pronësisë.

Për këtë është krijuar paketa e maleve, për të adresuar edhe një problematikë të mbartur nga vitet në territore të mrekullueshme ku pronarët legjitimë nuk gëzojnë titujt e pronësisë sepse nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe ndërkohë nuk kanë konflikte mes tyre. Dhe përmes investimit ata do të mund të sigurohen se në fund të procesit, ku do të kenë edhe lehtësira domethënëse fiskale, për shembull, 500 të parët që do të marrin lejen për të filluar punën do të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, ata do të kenë edhe titullin e pronësisë. Kështu që, për të gjithë ata që më dëgjojnë dhe që janë të interesuar apo janë të dyzuar apo janë dyshues, provoni paketën e maleve.

Provoni paketën e maleve! Provoni paketën e maleve dhe është pak, por e sigurt që në rast se do të hapni derën e shtëpisë së vjetër të gjyshit dhe do të rindizni oxhakun në atë shtëpi apo do të krijoni një fermë të vogël, një pikë agropërpunimi diku në një tokë që është larg territoreve të qyteteve, koha do të më japë të drejtë, do të na japë të drejtë dhe ju do të jeni të lumtur me atë hap që hidhni sot. Sepse investimi do t’ju kthehet në mbarësi dhe në mirësi për familjet tuaja, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një kontribut për Shqipërinë,” tha Rama.

Share This Article