Kreu i shtetit Ilir Meta ka reaguar pas prishjes së një pjese të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë’’.
Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se ndërhyrja në godinën historike të maternitetit ishte pa transparencë, në periudhë pandemie ndërsa shton se ky është një atentat i radhës ndaj historisë dhe trashëgimisë kulturore .
Kreu i shtetit përmend po ashtu edhe shembjen e Teatrit Kombëtar, rrafshimin e objeketeve që kanë status special monument kulture, si dhe “zhdukjen e Sahatit pas kullave. Meta u premton qytetarëve se pas 25 prillit në Shqipëri “do të nisë epoka e referendumeve, për t’u dhënë të drejtën qytetarëve të vendosin vetë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik.”
REAGIMI
Ndërhyrja brutale mbi godinën historike të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë’’, pa transparencë, në periudhë pandemie, është një tjetër atentat, në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar.Shkatërrimi kriminal i Teatrit Kombëtar, rrafshimi i qindra objekteve me status special e monument kulture, si dhe “zhdukja” e Sahatit pas kullave, janë dëshmi e babëzisë dhe të një gjenocidi kulturor ndaj identitetit të Kryeqytetit tonë, në shkelje të Kushtetutës, ligjit për konsultimit publik dhe të gjitha parimeve për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore.Duke u solidarizuar me qëndrimin e Unionit të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë për çështjen e ndërhyrjes mbi godinën e maternitetit ‘’Mbretëresha Geraldinë’’, u premtoj të gjithë shqiptarëve se pas 25 prillit në Shqipëri do të nisë epoka e referendumeve, për t’u dhënë të drejtën qytetarëve të vendosin vetë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik.