Portieri i Kosovës po kërkohet nga klubet e Championshipit anglez. Manchester City po planifikon ta huazojë portierin shqiptar nga Mali i Zi, i cili nuk po ka hapësira të mjaftueshme në “Etihad Stadium”.
Arijanet Muriç është bërë objektiv i klubeve nga Championshipi anglez.
Portierit të Përfaqësueses së Kosovës ditë më parë ia kishte vënë syrin Nottingham Foresti, i cili dëshiron t’ia japë hapësirën portierit shqiptar nga Mali i Zi, të cilën nuk e ka momentalisht në Manchester City.
Mirëpo, Nottinghami nuk është klubi i vetëm që ia ka vënë syrin portierit shtatgjatë.
Në fakt, sipas mediave britanike, interesim për Muriçin ka shfaqur edhe klubi tjetër nga liga e dytë angleze, Preston North End.
“Reds” janë të vendosur ta huazojnë përfaqësuesin kosovar, por tabloidi britanik “The Sun” raporton se Preston është po ashtu i vendosur për portierin me perspektivë.
20 vjeçari ishte zgjedhja e dytë e trajnerit Pep Guardiola sezonin e fundit pasi Claudio Bravo kishte vuajtur nga një lëndim i rëndë, i pësuar në muajin gusht të vitit të kaluar.
Bravo tash është i gatshëm dhe Guardiola i do së paku dy portierë, që nënkupton se Muriç është i tepërt dhe se largimi i tij nga “Etihad Stadium” është më shumë se i mundshëm.