Përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, dhe kapiteni Etrit Berisha kanë theksuar në konferencën për shtyp para ndeshjes me Anglinë, se “kuqezinjtë” do të luajnë për të marrë rezultat pozitiv.
Të dielën në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Shqipëria do të luajë kundër Anglisë në kuadër të kualifikimeve të Botërorit “Katari 2022”. Do të jetë ndeshje e vlefshme e Grupit I.
Tekniku italian ka nënvizuar se të përzgjedhurit e tij duhet të jenë të kujdesshëm në aspektin psikologjik.
“Sigurisht Anglia është një nga rivalet më të forta në Evropë. Ka një grup lojtarësh të rinj, shumë cilësorë. Ata, përveç botërorit, po përgatiten edhe për Evropianin e ardhshëm. Shoh që po punojnë shumë mirë, kanë një grup me cilësi të mira. Kane është lojtari më i fort aktualisht, ndërsa lojtarët si Foden dhe Mount, janë lojtarë të rinj të cilët kanë kohë për të treguar vlerat e tyre me Kombëtaren”, ka deklaruar Reja në konferencën për shtyp.
Kapiteni dhe portieri Berisha ka deklaruar se skuadra do të mundohet të jetë sa më e përgatitur për t’u përballur më denjësisht me “Tre Luanët”.
“Anglia është një skuadër jashtëzakonisht e fortë dhe nëse merren parasysh të gjithë lojtarët që ka, ata kanë potencial për të krijuar raste dhe për t’i fituar ndeshjet. Por, ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe kualitetet e tyre. Do mundohemi ta përgatisim këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Berisha.
Pas ndeshjes me Anglinë, Shqipëria do të luajë kundër San Marinos tri ditë më vonë.
Anglia dhe Shqipëria prijnë në Grupin I me nga tri pikë, ndërsa Polonia dhe Hungaria kanë nga një pikë. Andorra e San Marino mbeten në dy vendet e fundit pa pikë në ndeshjet e para.
Shqipëria mposhti në udhëtim Andorrën me rezultatin minimal 1:0 në ndeshjen e parë, kurse Anglia mposhti thellë San Marinon, 5:0.