Mesfushori Arijan Ademi ka kohë që në mënyrë të vazhdueshme është prej lojtarëve më të mirë të Dinamos së Zagrebit. Por këtë edicion me shiritin e kapitenit në krah, Ademi po e shfaq më të mirën si futbollist, ka shkruar të premten “index.hr”.
Pos që me Dinamon është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Evropës pas fitores epike ndaj Tottenhamit, Ademi me Maqedoninë e Veriut është kualifikuar në Evropian. Ai ndoshta ka arritur në pikën ku i duhet sfidë e re në karrierë, ka shkruar mediumi i fuqishëm kroat.
Dinamo ka kuptuar se cili është dallimi i paraqitjes me Ademin në përbërje dhe pa e pasur atë në formacion. Pasi në vitin 2015 Ademi u suspendua nga UEFA për shkak të dopingut, klubi nga Maksimiri për herë të parë që nga viti 2006 mbeti pa titull të kampionit të Kroacisë dhe për herë të parë që nga viti 2007 nuk avancoi në fazën grupore të Championsit apo Ligës së Evropës.
Me kthimin e Ademit në skuadër, Dinamo arriti rezultate edhe më të mira. Në vitin 2018 klubi nga Zagrebi siguroi pranverën evropiane, të cilën e ka pritur për 49 vjet. Ai sukses i mundësoi Dinamos të bëhet më e fortë dhe të ketë cilësi që të ballafaqohet me klubet e mëdha evropiane. Kulmi ishte eliminimi i Tottenhamit në 1/8 e finales së Ligës së Evropës. Ademi ishte i shkëlqyeshëm në atë fitore të madhe në Zagreb, javë më parë.
Kontributi i Ademit në kualifikimin historik të Maqedonisë së Veriut në Evropian po ashtu ishte i madh. Dhe ai shfaqi nivel të lartë edhe në fitoren e madhe të Maqedonisë së Veriut ndaj Gjermanisë, në kualifikimet e Botërorit.
Ademi asistoi në golin e fitores, 2:1, të shënuar nga Elif Elmas në minutën e 85-të.
“Edhe pa asistim ishte prej më të mirëve në terren. Me asistim vetëm ka kurorëzuar një paraqitje të nivelit superior”, ka shkruar “index.hr”, duke veçuar shpirtin luftarak të 29-vjeçarit.
Ademi është lojtari me më së shumti trofe në histori të Dinamos. Ka 17 trofe deri më tani. Sipas mediumit kroat, është koha që Ademi të provoj veten në ndonjë ligë të fortë evropiane.