“Ka theksuar se posedon informata lidhur me këtë”, ka thënë njëri prej liderëve të Frontit Demokratik (FD), Milan Knezheviq, duke theksuar se kryeministri e ka akuzuar në mënyrë indirekte atë, nënkryetarin e Qeverisë, Dritan Abazoviq, dhe ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave, Vladimir Leposaviq, se qëndrojnë prapa komplotit për rrëzimin e Qeverisë
Takimi i liderëve të shumicës qeverisëse në Malin e Zi dhe kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, ka përfunduar me akuza për rrëzim të Qeverisë, të cilat në llogari të Frontit Demokratik pro-serb dhe nënkryetarit të Qeverisë, të ngarkuar për çështjet e sigurisë, Dritan Abazoviq, të martën i ka ngritur vetë kryeministri dhe më pas e ka braktisur mbledhjen.
Njëri prej liderëve të Frontit Demokratik (FD), Milan Knezheviq, ka thënë për gazetarët në Podgoricë, pas takimit me kryeministrin dhe shefat e partive politike të shumicës, se Krivokapiqi e ka akuzuar FD-në, nënkryetarin Abazoviq dhe ministrin Vladimir Leposaviq për përpjekjen e rrëzimit të Qeverisë së tij.
“Ka theksuar se posedon informata lidhur me këtë”, ka thënë Knezheviq, duke theksuar se Krivokapiqi ka akuzuar në mënyrë indirekte atë, Abazoviqin dhe Leposaviqin se qëndrojnë prapa komplotit për rrëzimin e Qeverisë. “Krivokapiqi është thirrur në fotografinë time në Twitter dhe në postimin nga 4 janari, kur kam biseduar me Abazoviqin rreth mundësisë së tejkalimit të krizës në gjyqësorin e Malit të Zi, si dhe ka deklaruar se posedon informata të numërta rreth këtij komploti”, ka thënë Knezheviq.
Sipas tij, kryeministri ka refuzuar që t’i shpalosë informatat që i ka, porse ka pranuar se një ditë më herët është takuar me presidentin Milo Gjukanoviq, ani pse ka refuzuar që të flasë rreth takimit, ka raportuar agjencia e lajmeve “Hina”, transmeton gazeta e Sarajevës, “Oslobodjenje”.
“Kur e pyeta se për çfarë kishte biseduar me të, hymë në një debat verbal, pas të cilit kryeministri e braktisi mbledhjen”, ka thënë Knezheviq, njëri prej udhëheqësve të shumicës në pushtet.
Më vonë, kryeministri ka sqaruar për media se me Gjukanoviqin kishte biseduar gjatë takimit të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, si dhe se ka pasur takime sekrete me presidentin e Malit të Zi.
Kriza përbrenda koalicionit qeverisës, i cili në zgjedhjet parlamentare të gushtit të 2020-s ka rrëzuar nga pushteti me anë të fitores së ngushtë Partinë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit, ka nisur kur kryeministri Krivokaviq ka vendosur që ta zëvendësojë ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave, Vladimir Leposaviq, shkaku se ai gjatë një adresimi publik e kishte kontestuar haptas gjenocidin në Srebrenicë dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare lidhur me çështjen.
Leposaviqi ka refuzuar që të japë dorëheqje pas deklaratës kundërthënëse. Andaj, për zëvendësimin e tij duhet mbajtur diskutime në Kuvendin e Malit të Zi, ku pjesa më e madhe e përfaqësuesve të koalicionit qeverisës është kundër vendimit për shkarkimin e ministrit.