Presidenti Ilir Meta dënoi dhunën fizike të ushtruar nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj gazetarit, Enver Doçi në Dibër, i cili ishte në krye të detyrës.
Presidenti duke i uruar shërim të shpejtë, shpreh solidaritetin e plotë me z. Doçi dhe të gjithë gazetarët që me guxim, kurajo e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave.
Presidenti Meta apelon zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje të rëndë duke përsëritur thirrjen e tij për ndëshkimin e të gjithë autorëve të dhunës, shantazhit, kërcënimeve e presionit ndaj gazetarëve.
“Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, thekson Presidenti.
Gazetari Enver Doçi u dhunua nga policia ndërsa filmonte arrestimin e biznesmenit Bilbil Gjura, i cili dyshohet si i përfshirë në përplasjen me forcat speciale në orët e para të mëngjesit.
Raportohet se i është thyer edhe celulari një personi në tentative për të filmuar./Ora News/