Institucionet e Serbisë dhe disa media që i shërbejnë pushtetit atje, janë duke propaganduar se serbët të cilët jetojnë ne veri të Republikë së Kosovës janë duke u përballur me një krizë humanitare si pasojë e taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës, dhe aksionit të fundit të Policisë së Kosovës që i dha fund kontrabandës në atë pjesë.
Prej dy ditësh në pjesën veriore nuk është hapur asnjë dyqan i cili është pronë e serbëve, ndërkohë institucionet e Kosovës janë detyruar që të dërgojnë mallra ushqimore në atë pjesë.
Lidhur me situatën ka reaguar ashpër kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke thënë se Kosova do të mbështesë dhe do të mbrojë qytetarët në Veri të Kosovës.
“Kosova do të mbështesë dhe mbrojë qytetarët në veri të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në reagimin e tij të parë.
Kreu i Qeverisë i ka dërguar një mesazh presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke i thënë atij që të mos tentojë të realizojë planin e tij mashtrues për destabilizimin e Kosovës përmes një skenari mashtrues për krizë të rreme ‘humanitare’, pasi për një gjë të tillë do të mbajë përgjegjësi.
“ I dashur Aleksander Vuçiq, ju udhëzojë që të mos e zbatoni skenarin tuaj mashtrues për të destabilizuar veriun e Kosovës. Kriza e rreme ‘humanitare’, nuk do të shërbejë kurrë si mburojë për qëllime tuaja të destabilizimit, dhe ju do të jeni përgjegjës”, ka thënë në reagimin e dytë kryeministri i Kosovës.
Nesër presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pritet të deklarohet rreth asaj se çfarë po ndodh në Veri të territorit të Republikës së Kosovës.