Qeveria britanike ka bërë thirrje për nisjen e vaksinimit me dozat e dyta të vaksinave kundër COVID-19 dhe për ashpërsimin e masave lokale me qëllim që të ndalet përhapja e variantit indian të koronavirusit në zonat më të prekura.
Qeveria në Londër ka njoftuar se mund të nisë vaksinimi i të rinjve në amvisëritë me shumë gjenerata, ndërkaq autoritetet kanë tërhequr vërejtjen se lirimi i masave më 21 qershor është vënë në dyshim shkaku i shfaqjes së variantit indian.
Që prej pesë majit janë konfirmuar 520 raste të reja me variantin indian të COVID-19. 1 mijë e 255 raste janë vetëm në Angli.
Ministritë përgjegjëse në Britani nuk kanë përjashtuar mundësinë e rivendosjes së masave po qe se vaksinat nuk tregojnë efekt ndaj variantit të ri.
Të enjten, kryeministri Boris Johnson, kishte deklaruar se ende nuk ka prova kundër lehtësimit të masave që do të nisin më 17 maj në Angli.
Mirëpo, autoritetet shëndetësore kanë vënë në dyshim heqjen e masës së distancës sociale për shkak të variantit indian që po përhapet me shpejtësi mes të rinjve dhe të pavaksinuarve.