Juventusi e ka fituar Kupën e Italisë për herën e 14-të në histori të klubit.
“Zonja e Vjetër” triumfoi në këtë garë të mërkurën në mbrëmje, pasi në stadiumin “Mapei” mposhti skuadrën e Atalantas me rezultatin 2:1.
Për Atalantan ishte humbja e katërt në pesë finale sa ka arritur. E ka fituar vetëm në vitin 1963.
Ndryshe nga Atalanta, “bianconerët” e fituan këtë trofe për herën e parë që prej edicionit 2017/18. Andrea Pirlo e festoi ditëlindjen e 42-të me Kupën e dytë nën drejtimin e Juventusit.
E para ishte Superkupa e Italisë e fituar në muajin janar kundër Napolit në muajin janar. Para 4300 tifozëve të pranishëm në stadiumin e Sassuolos, ishte Juventusi që kaloi i pari në avantazh.
Dejan Kulusevski shënoi falë asistimit të West McKenniet. Shifrat i barazoi Ruslan Malinovskyi me gjuajtje të fuqishme në minutën e 41-të. Megjithatë, triumfin në Kupë Juventusit ia dha Federico Chiesa që shënoi në minutën e 73-të.
Berat Gjimshiti u inkuadrua në lojë te Atalanta në minutën e 77-të.