Autoritetet britanike janë të shqetësuara për shtimin e rasteve të infektimeve me mutacionin indian të koronavirusit në vend, çka shton frikën për një valë të tretë të përhapjes. Statistikat tregojnë se numri i përgjithshëm i të infektuarve me këtë variant ka arritur në 3 400 brenda pak javësh. Shumicën e rasteve e ka qyteti verior Bolton, por konstatohet përhapje me shpejtësi edhe në rajonet qendrore dhe jugore përfshirë edhe kryeqytetin Londër.
Infektimet ditore në 24-orët e fundit kanë pësuar një rritje të lehtë në 2 092 raste, 166 më shumë se 7 ditë më parë. Përllogaritet që në rast përhapjeje masive, vala e tretë të arrijë kulmin në fund të verës.
Nisur nga kjo situatë, Franca po shqyrton ashpërsimin e masave për turistët britanikë gjatë sezonit veror. Nga e Diela, Gjermania nisi aplikimin e karantinës 14 ditore për hyrjet nga Britania e Madhe.
Këto masa vijnë në momentin kur Komisioni Europian rekomandoi lëvizjen e lirë brenda unionit për britanikët e vaksinuar, ashtu si për qytetarët e vendeve anëtare. Gjithsesi, një studim i fundit konstaton se vaksinat Pfizer e AstraZeneca kanë parandalueshmëri të lartë edhe për infektimit me mutacionin indian.